Thyhet Eliot Spitzer: Jap dorëheqjen
Eliot Spitzer, guvernatori i Nju Jorkut, i përfshirë në një skandal prostitutash "luksoze", ka dhënë dorëheqjen. "Më vjen jashtëzakonisht keq që ju kam zhgënjyer. Por, nuk mund të lejoj që dështimet e mia personale të pengojnë punën e madhe që duhet bërë", tha ai. Dorëheqja do të hyjë në fuqi të hënën, kur detyrat e guvernatorit do të merren përsipër nga zëvendësi i tij, Dejvid Paterson. Në deklaratën e tij të shkurtër për shtyp, guvernatori i ka kërkuar ndjesë të gjithë qytetarëve të Nju Jorkut: "Keqardhja që ndjej do të më shoqërojë përherë", tha ai. Sipas shtypit njujorkez, guvernatori e kishte marrë këtë vendim, pasi kishte kaluar tërë natën duke diskutuar me bashkëshorten Silda dhe avokatët e tij në lidhje me marrëveshjen që i ishte propozuar nga prokurorët federalë që po hetojnë mbi rastin e tij. Episodi me Eliot Spitzer, i detyruar të japë dorëheqjen për shkak se nuk kishte pranuar të përballej me hetimin që në qendër do të kishte "historitë" e tij 80 mijë dollarëshe me prostitutat e rangut të lartë, rrezikon të dëmtojë edhe garën për nominimin presidencial të Hillari Klintonit. Jo thjeshtë për faktin se Guvernatori i Nju Jorkut ishte një prej superdelegatëve që nuk e kishte fshehur mbështetjen për ish-zonjën e parë, por edhe për paralelet e vazhdueshme që në këto orë, mediat po ngrenë mes kësaj ngjarjeje dhe "Sexgate"-it ku mbeti i përfshirë Bill Klinton, vite më parë. Për më tepër, imazhi i Silda Spitzerit përkrah të shoqit që pranon fajin, ka kthyer në mendjet e të gjithëve ato shumë raste në të cilat ka qenë Hillari ajo që kishte veshur petkun e "heroinës që i qëndron përkrah bashkëshortit të saj". Ndërkohë, në mediat amerikane ka filluar edhe "humori". "Pas skandalit me Spitzerin, Hillari është gruaja e dytë më e zemëruar në tërë shtetin e Nju Jorkut", thuhej në një emision televiziv. Ndërsa të tjerë, shtonin më shumë dozën, duke i sugjeruar guvernatorit edhe një justifikim: "Besoja se Bill Klinton i kishte legalizuar këto lloj gjërash disa vite më parë". Dorëheqja e Guvernatorit u shfaq fillimisht në disa tabloidë të rëndësishëm të Nju Jorkut. Ndërkohë, rënia spektakolare e moralistit Spitzer për shkak të një aventure të Shën Valentinit që kishte kushtuar plot 4300 dollarë dhe që ishte regjistruar nga gjykatësit hetues, ka hapur rrugën për një tranzicion historik. Kushtetuta e shtetit të Nju Jorkut parashikon që në rast dorëheqjeje, vendi i Spitzerit i kalon zëvendësit të tij, Dejvid Paterson, një afro-amerikan 53-vjeçar, pothuajse i verbër. Dhe në historinë e Shteteve të Bashkuara, nuk ka pasur asnjëherë një guvernator të verbër. Spitzer kishte bërë emër si një hetues i krimit të organizuar, atij financiar dhe prostitucionit. Në një moment të caktuar, ai kishte filluar të thirrej "Sherifi i Uoll Stritit". Por dy ditë më parë, u detyrua të pohonte: "Kam vepruar në një mënyrë që bie ndesh me detyrimet e mia ndaj familjes dhe shkel sensin tim të së drejtës dhe së gabuarës". Spitzer, 48 vjeç, është i martuar dhe baba i tre vajzave adoleshente.