E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, kapet dhunuesi i varreve

Policia e Korçës ka arrestuar një 26-vjeçar nga ky qytet, si personin e dyshuar që ka dhunuar me vjedhje pak ditë më parë varrezat e fshatit Mborje. Bardhi Mehmeti, një 26-vjeçar me banim në qytetin e Korçës, është arrestuar pas hetimeve të policisë si autori i mundshëm i dhunimit të varrezave të fshatit Mborje, ndërkohë që policia po vazhdon kërkimet për të kapur edhe një autor të dytë që ka bashkëpunuar me të arrestuarin. Bardhi Mehmeti, nga qyteti i Korçës, është arrestuar në orët e mbrëmjes, pas dëshmisë së dhënë nga një roje i varrezave të fshatit, që ka ndihmuar në identifikimin e dhunuesit të varreve. Roja i tyre tha se kishte shkuar për të djegur disa mbeturina kurorash kur ka ndeshur dy persona që po dhunonin varret. Sipas tij, një person ka arritur të largohet, ndërsa në moment është ndaluar 26- vjeçari Bardhi Mehmeti. Në çantën e tij roja ka gjetur një kornizë metalike për mbajtjen e fotografive në pllakat e varreve. Më pas ai ka sinjalizuar policinë, e cila pas disa orë kërkimesh ka mundur të identifikojë dhunuesin e varrezave të fshatit Mborje, duke e vënë atë në pranga. Policia tha se po vazhdon hetimet për këtë ngjarje që ka tronditur banorët e fshatit Mborje, pasi dyshohet për ekzistencën e një rrjeti që merret me vjedhjen e objekteve prej bronzi dhe të kornizave të fotografive jo vetëm në fshatra të rrethit, por edhe në qytetin e Korçës, duke u kthyer kështu në një grup problematik që krijon shqetësime te personat që u dhunohen varret e të afërmve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›