Basha dorëzon imunitetin javën tjetër
Të hënën e fundit të këtij sesioni parlamentar, Parlamenti pritet që me unanimitet të votojë për heqjen e imunitetit të deputetit Lulzim Basha. Vendimi është bërë i ditur dje në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve nga vetë kryetarja e këtij këshilli, njëherësh dhe njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ajo deklaroi se "Këshilli i Imunitetit ka marrë një vendim të përbashkët që brenda këtij sesioni deputetit Lulzim Basha do t‘i hiqet imuniteti". Topalli u ka kërkuar të gjithë deputetëve, anëtarë të Këshillit të Imunitetit që të paraqesin brenda këtyre dy ditëve sugjerimet dhe vërejtjet e tyre në lidhje me heqjen e imunitetit të deputetit Basha, pasi këshilli duhet t‘i paraqesë Kuvendit raportin përfundimtar. Ky raport sipas saj duhet të jetë gati deri të mërkurën, me qëllim që në seancën e së hënës më 24 dhjetor, e cila do të jetë edhe e fundit, të kryhet votimi. Sipas Topallit, në "rast se nuk ndiqet kjo procedurë kërkesa për heqje imuniteti kalon në sesionin tjetër dhe rregullorja nuk të jep mundësi të ecësh përpara". Ndërsa përfaqësuesi i opozitës në Këshillin e Rregullores, deputeti Petro Koçi, duke vlerësuar vendimin e mazhorancës, ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që të tregohet më transparente në hetimet për rrugën Durrës-Kukës. "Përshëndesim vullnetin e mazhorancës dhe shpresojmë që Prokurorja e Përgjithshme të marrë seriozisht këtë vendim", është shprehur deputeti i PS-së, Petro Koçi. Gjithashtu ai ka kërkuar që Kryeprokurorja e re të mos ndryshojë prokurorët, të cilët kanë nisur hetimet për këtë çështje dhe vullneti i organit të akuzës ta vazhdojë edhe në të ardhmen, sepse një nga stacionet e reja ku kalon rruga Durrës-Kukës është edhe Prokuroria e Përgjithshme. Tashmë puna në Këshillin e Imuniteteve pritet të vazhdojë intensivisht për shkak se koha në dispozicion të tyre për të dorëzuar raportin përfundimtar është shumë e pakët, vetëm dy ditë. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për t‘i hequr deputetit të PD-së imunitetin rri në zyrat e Kuvendit për më shumë se dy muaj. Në deklaratat e saj të mëparshme, opozita ka akuzuar Kryetaren e Kuvendit dhe mazhorancën se po e zvarrisin qëllimisht vendimin për heqjen e imunitetit, për shkak se kërkonin që më parë të hiqej Sollaku nga detyra e Kryeprokurorit. Sapo kjo u realizua, Kryetarja e Kuvendit pa humbur kohë mblodhi Këshillin e Imunitetit dhe pranoi kërkesën e prokurorisë për të hequr imunitetin e Bashës, e cila u pranua publikisht edhe nga vetë Basha, pasi vajti për të dëshmuar në organin e prokurorisë kur në krye të saj tashmë ishte një tjetër emër, dhe jo ai i Sollakut. Se çdo të ndodhë realisht me çështjen "Basha" pasi t‘i hiqet imuniteti atij, kjo mbetet për t‘u parë në ditët në vijim. Tashmë hetimi i rrugës Durrës-Kukës ndodhet në duart e organit të prokurorisë ku nën hetim janë edhe disa zyrtarë të lartë, mes tyre dhe ish-zëvendësministri i Transporteve. Paralelisht me hetimin e organit të prokurorisë, edhe Kuvendi ka ngritur një komision hetimor për të hetuar skandalet me tenderët e kësaj rruge. Komisioni drejtohet nga mazhoranca, por deri më tani ka mundur të mblidhet vetëm tri herë. Në mbledhjen e fundit, opozita paraqiti një listë të gjatë të dëshmitarëve që duhet të jepnin dëshmitë e tyre në shërbim të hetimit të këtij komisioni. Në krye të listës ata kanë vendosur Kryeministrin Berisha, i cili shoqërohet më pas nga ministrat e tij. Por deri më tani askush nuk ka kthyer përgjigje nëse do të dëshmojë, duke paralizuar kështu hetimin e komisionit parlamentar.