Ndoka feston me të djathtën dhe të majtën krijimin e PDK-së
Partia Demokristiane bashkon sërish në një festë të majtët dhe të djathtët. Muaji dhjetor mund të konsiderohet shumë mirë si një muaj bashkimi për politikën shqiptare. Demokratët dhe socialistët, por edhe aleatët e këtyre partive, janë mbledhur në një festë për të uruar 16-vjetorin e krijimit të parisë demokristiane. Më 11 dhjetor të vitit 1991, PDK-ja hyn për herë të parë në gjirin e partive politike në Shqipëri. Festa u organizua pesë ditë me vonesë, për shkak të përplasjes së datave me Partinë Demokratike. Në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, PDK-ja ka fituar 3.35% të elektoratit, ose 45 mijë vota në rang kombëtar. Nga zgjedhjet e fundit lokale, kjo parti ka siguruar fitoren në 4 bashki, 13 komuna dhe përfaqësohet në pushtetin vendor me 320 këshilltarë.
Të munguarit
Demokristianët kanë shpërndarë ftesa për 16-vjetorin e saj te të gjithë krerët e politikës shqiptare, përveç njerëzve të shpallur "non grata" nga ajo. Fatos Nano, Nikoll Lesi dhe Genc Pollo kanë qenë tre politikanët për cilët PDK-ja nuk ka shpërndarë ftesa.
Të ftuarit
Kryeministri Berisha, së bashku me aleatët e tij, kanë uruar dje kreun e demokristianëve për 16-vjetorin e partisë që ai drejton. Berisha u shpreh se "PDK-ja është e angazhuar për reformat primare të Shqipërisë, si integrimi në NATO dhe BE". Ndërkohë Kryeministri ka preferuar të shmangë në fjalimin e tij, frazën e tij të preferuar, të cilën e shpalos kudo, si betejën e qeverisë kundër korrupsionit. Ndërsa numri një i republikanëve, Fatmir Mediu, i është drejtuar Ndokës duke i thënë "të të rrojë partia". Në festë ka qenë i pranishëm edhe princi Leka.