E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe, Berishës: Duam tre interpelanca brenda vitit

Kryeministri Sali Berisha duhet të dalë tre herë në interpelancë para opozitës deri në fund të vitit. Ky ishte ultimatumi që nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, i lëshoi kreut të ekzekutivit. Në komunikimin me median, numri dy i grupit tha se në Kuvend kanë mbetur pa u realizuar tre interpelanca me Kryeministrin Berisha. Ndërsa kundërshtoi ndryshimet në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Interpelancat

"U bë tre muaj që Kryeministri nuk përgjigjet në Kuvend. Kjo do të thotë që ne kërkojmë me ngulm që të tria interpelancat të realizohen", theksoi Braçe. E para, sipas tij, është për korrupsionin, shumë e rëndësishme, sidomos pas raportit publik të publikuar nga "Transparency International", për ta detyruar Kryeministrin që të flasë më në fund, është fshehur, ka 7 ditë që rri i fshehur dhe nuk flet për këtë çështje. "Ne duam që ai të vijë dhe të flasë për korrupsionin në Kuvend, për atë interpelancë që ne i kemi kërkuar", kërkoi Braçe. Interpelancat e tjera janë ajo për pensionet dhe për kartat e identitetit që janë probleme madhore. Për shkak edhe të emergjencave që janë krijuar, socialistët dje depozituan brenda afateve që parashikon rregullorja, kërkesën për seancë interpelance urgjente me Kryeministrin për pensionet e ish- ushtarakëve dhe seancë pyetjesh urgjente, po me Kryeministrin, për situatën e krijuar në qendrën kombëtare të traumës, për shkak të vendimmarrjes së qeverisë.

Tatimi

Duke ju referuar bujqësisë, Braçe sqaroi se të gjitha skemat e subvencioneve në bujqësi që u ngritën gjatë qeverisjes socialiste janë ezauruar, janë shpërbërë. Prej dy vitesh në bujqësi nuk ka asnjë lloj skeme që subvencionon drejtpërdrejtë prodhimin bujqësor, veç një skemë e cila rezulton e korruptuar, e mbështetjes së vreshtarisë në territore të ndryshme të Shqipërisë. "Së dyti, projektligji që ka ardhur është një mbështetje thuajse fare minimale në kufijtë e mbijetesës dhe jo të zhvillimit të këtij sektori", nënvizoi Braçe.

Një tjetër problem që paraqitet nga PS-ja, ka të bëjë me zgjerimin e personave apo gamës së njerëzve që e përfitojnë. Projektligji e kufizon vetëm tek ato ekonomi fshatare që shesin te grumbulluesit, që janë të regjistruar në organin e Tatim Taksave për efekt edhe të rimbursimit të TVSH-së së tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›