E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha merr mbështetjen nga Londra për anëtarësimin në NATO dhe pavarësinë e Kosovës

Londra zyrtare edhe njëherë tjetër ka shprehur gatishmërinë e

mbështetjes politike ndaj Shqipërisë në plotësimin e aspiratave të saj për të aderuar në instancat Euro-Atlantike, por ka theksuar se lufta e krimit të organizuar duhet të vazhdojë.

Reformat në vend janë theksuar si të domosdoshme për çuarjen përpara të Shqipërisë. Mbështetja britanike është rikonfirmuar edhe njëherë gjatë një takimi që sekretari i Jashtëm i shtetit, David Miliband, pati me homologun shqiptar, Lulzim Basha.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë e ka nisur këtë vizitë dyditore në Londër, duke u takuar në ambientet e "Foreign Office" me sekretarin e Jashtëm britanik, David Miliband. Takimi Miliband-Basha, që ka zgjatur 50 minuta, është zhvilluar kokë më kokë.

Miliband pas mbarimit të takimit ka lëshuar një deklaratë për

Mediat, ku e cilëson atë si një bashkëbisedim të shkëlqyer.

"Ne biseduam për çështje rajonale, që kanë të bëjnë me Ballkanin

Perëndimor dhe ndamë të njëjtin mendim se Shqipëria duhet të luajë një rol konstruktiv të rëndësishëm për momentin", shprehet sekretari i Jashtëm britanik, Miliband, në prononcimin e tij. Po nga kjo deklaratë mësohet se gjatë takimit janë diskutuar edhe

çështje të tjera si Kosova apo ftesa për anëtarësimin në NATO.

"Ne po ashtu biseduam edhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe

Britanisë, ku përfshihet lufta kundër krimit të organizuar dhe nevojës së domosdoshme të reformave për Shqipërinë, në mënyrë që të afrohet afër NATO-s dhe Bashkimit Evropian", vijon deklarata e Miliband. Sekretari i Jashtëm britanik i ka garantuar ministrit Basha mbështetjen e plotë që jep Britania e Madhe për të kapërcyer sfidat e shumta që Shqipëria ka përpara drejt rrugës së anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Pyetur nga "Shqip" për më shumë informacion se çfarë u bisedua më konkretisht për Kosovën gjatë takimit, Dina Kalnina, zëdhënëse e "Foreign Office", u shpreh se Kosova ka qenë pjesë e rëndësishme bisedimesh gjatë takimit mes dy ministrave, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Gjatë një interviste me "Shqip" në përfundim të ditës së parë të vizitës në Londër, ministri Basha e ka cilësuar atë si shumë produktive. Ministri Basha ka dhënë disa detaje shtesë rreth bisedimeve për Kosovën dhe krimin e organizuar me homologun Miliband. "Biseduam gjerësisht për Kosovën, duke përfshirë sfidat e deritanishme, por edhe akoma më gjatë për sfidat e mëvonshme të Kosovës dhe të rajonit. Tashmë pavarësia e Kosovës është një fakt i pashmangshëm dhe i pritshëm së shpejti. Tani vëmendja jonë duhet të fokusohet në të ardhmen Euro Atlantike të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Duhet të ngushtohen hapësirat për ekstremistët radikalë dhe të përdorim situatat e vakumit politik për përfitim personal dhe për zgjerimin e hapësirave të moderatorëve, reformatorëve", është shprehur Basha. Lidhur me deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Miliband, menjëherë pas takimit për luftën kundër krimit të organizuar që duhet vazhduar, për

të cilën Britania jep mbështetje, zoti Basha tha: "Ne biseduam në përgjithësi rreth luftës që qeveria shqiptare ka bërë

për të luftuar krimin e organizuar në Shqipëri, përfshi sukseset e arritura në këtë fushë, në veçanti në luftën kundër trafiqeve të paligjshme".

"Ne biseduam për çështje rajonale, që kanë të bëjnë me Ballkanin

Perëndimor dhe ndamë të njëjtin mendim, se Shqipëria duhet të luajë një rol konstruktiv të rëndësishëm për momentin"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›