Doganat, borxhi arrin 100 milionë USD
Plot 100 milionë dollarë është vlera totale e borxhit për periudhën 1992-2007, duke përfshirë edhe detyrimet e reja. Për vitin që lamë pas, detyrimet u shtuan me rreth 13 milionë dollarë, ndërsa subjekte private debitorë ndaj doganës rezultuan 1300. Të dhënat zyrtare janë hedhur në raportin e administratës doganore për vitin 2007, që ka mbërritur këto ditë pranë Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Po ashtu, mësohet se është shlyer në masën 36 për qind shuma e borxhit krijuar nga subjekte të ndryshme përgjatë këtij viti, ndërsa pjesa e mbetur është mbartur për vitin 2008, si rrjedhojë e ankimimit të vendimit në gjykatë. Borxhi total, që e kalon 100 milionë dollarë (8.774 miliardë lekë) konsiderohet shumë më i lartë nga sa kishte deklaruar Ministria e Financave gjatë periudhës kur u miratua ligji "Për procedurat tatimore".
Ndërkaq, nga kjo shumë totale, rreth 45 milionë dollarë u përkasin penaliteteve (gjobave), rreth 16 milionë dollarë kamatëvonesa dhe rreth 30 milionë dollarë detyrime doganore. Pra, shihet se gjobat dhe kamatëvonesat përbëjnë pjesën më të madhe të detyrimit që subjektet i kanë administratës doganore. Po në kuadër të statistikave për vitin 2007, nga 1300 subjekte që kanë borxhe, dogana u ka vjelë detyrimin 995 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër, që në vlerë arrin 8 milionë dollarë i shtohen borxhit të trashëguar për arsye të kalimit në shkallë të ndryshme të ankimit administrativ dhe gjyqësor. Për sa i përket kësaj të fundit, në raportin e mbërritur në Komisionin e Ekonomisë theksohet se numri i seancave gjyqësore të zhvilluara përgjatë vitit 2007 e kalon numrin e 1300, ku administrata doganore është paraqitur në 1228 raste. Kështu, janë trajtuar gjithsej në shkallë të ndryshme të gjyqësorit 70 çështje, ku subjektet tregtare kanë dalë fitues ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Doganës në 53 çështje. Për të menaxhuar si duhet borxhin doganor, administrata doganore ka kryer një sërë aksionesh, duke lëshuar 174 certifikata garancie globale me vlerë rreth 11 milionë dollarë, ndjekje të sistemit të garancive globale për 43 agjenci doganore si dhe realizimit të studimit mbi mundësitë e ristrukturimit të borxhit të trashëguar, sipas specifikave të lindjes, nivelit të kamatë vonesave.
Po ashtu, moduli i analizës së riskut u bë funksional edhe për tre degë doganore (Elbasan, Kapshticë dhe Kakavijë), që së bashku me Tiranën dhe Durrësin, mbulojnë me rreth 70 për qind volumin e punës në doganë. Dogana, si institucioni që kontribuon më tepër me të ardhura në buxhetin e shtetit (në 2007 - mbi 1 miliard dollarë) nuk duket se përfiton dhe aq shumë në kryerjen e investimeve, që për vitin e shkuar nuk e kalon as 3.5 milionë dollarë. Edhe për vitin e kaluar nuk u krye asnjë procedurë tenderimi për rindërtimin nga e para të Doganës së Tiranës, e cila zë 25 për qind të vëllimit te të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ndërkaq, edhe pse numri i subjekteve debitore ishte rritur ndjeshëm për shkak të masave penalizuese ndaj tyre, vet administrata doganore në raportin e saj të fundit pretendon se janë rritur masat lehtësuese ndaj subjekteve tregtare, duke përmendur faktin se, është ulur me 15 për qind kontrolli fizik, është ulur kosto dhe koha nëpërmjet aplikimit të kranet TIR, uljen me 30 për qind të shpenzimeve administrative për deklaratat doganore në regjimin e përpunimit aktiv, etj. Megjithatë në raport nuk përmendet fakti se sa është përdorimi i çmimeve të referencës, e cila cilësohet nga subjektet private si mjet vlerësimi tepër arbitrar, por që në fakt i siguron doganës realizimin e planit. Ky raport që publikohet për herë të parë në media pritet që të shqyrtohet nga Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, nga ku nuk mund të mungojë edhe kreu i doganave, z. Përparim Dervishi.
Në pritje të shqyrtimit të këtij raporti, ku nuk mungojnë të dhëna të tjera rreth problematikës së doganave, sekretaria e komisionit konfirmon faktin se e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe për administratën e Tatim-Taksave, e cila që në fillim të këtij viti e pa veten me drejtor të ri. Ndryshe nga administrata doganore, tatimet po përballen me numrin më të lartë të borxheve që janë krijuar përgjatë këtyre viteve, ku dihet se vlera e tyre shkon deri në 400 milionë dollarë. Masa e lartë dhe pamundësia për t‘ia vjelë në kohë detyrimin ndaj subjekteve private, Ministria e Financës e pa të arsyeshëm rishikimin e ligjit "Për procedurat tatimore", ku sipas modelit të ri, biznesi duhet të paguajë 15 për qind të gjobës para se të kryejë ankimim në gjykatë, përveç faktit se duhet të shlyejë të gjithë detyrimin tatimor.