ERT, Olldashit: Tarifat celulare i ulëm me 43%
Pas kërkesës së ministrit të Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, për shkarkimin e Entit Rregullator të Telekomunikacioneve-ERT, ka reaguar kjo e fundit. Me anë të një komunikate për shtyp, ERT hedh poshtë pretendimet e ministrit Olldashi sipas të cilit, kërkohet shkarkimi i kreut dhe anëtarëve të ERT si pasojë e neglizhencës së rëndë të Këshillit Drejtues të Entit Rregullator gjatë procedurës së miratimit të metodologjisë së rregullimit të tarifave të organizmave me fuqi të ndjeshme në treg (OFNT) dhe mungesës së seriozitetit në ushtrimin e detyrës. Por sipas ERT, puna e këtij institucioni të pavarur ka sjellë ulje të kostos për bisedat telefonike në masën 43 për qind në muajin korrik 2006. "Masat për OFNT vendosen duke ndjekur procedurat përkatëse ligjore, nga analiza e tregut deri te konsultimi paraprak i tyre me operatorët. Në të kundërt, vendimet e ERT do të ishin të brishta dhe lehtësisht të kontestueshme", ishte reagimi karshi deklaratës së kreut të MPPTT për shkrirje të këtij institucioni për faktin se nuk ka treguar vigjilencë, duke i sjellë konsumatorit kosto shtesë te celularët.