E Hënë, 2 Nëntor 2026

Trafiku i makinave, dogana kallëzim penal për 54 BMW X5

Përveç mbledhjes së taksave të ndryshme në pikat kufitare, administrata doganore ka për detyrë që të monitorojë edhe hyrje-daljet e autoveturave. Kështu, për sa i përket sektorit të hetimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mësohet se janë bërë kallëzime penale për 91 subjekte, prej të cilave 54 raste u përkasin trafikimit të makinave të vjedhura BMW X5 dhe dokumenteve të falsifikuara. Po ashtu gjatë vitit 2007 janë trajtuar dhe përfunduar 530 dosje hetimore, ku në 74 prej tyre janë provuar e vendosur detyrimet doganore të shmangura dhe penalitetet përkatëse. Kundërvajtjet administrative u regjistruan në 38 raste me vlerë borxhi doganor rreth 179 milionë lekë, ndërsa janë evidentuar 36 raste kontrabandë me detyrim doganor 169 milionë lekë (përkatësisht 1.9 dhe 1.75 milionë dollarë). Lidhur me trafikun e makinave të vjedhura, aksioni nisur nga inspektorët e doganës në fillimin e vitit që shkoi shkaktoi shumë bujë në media për faktin se sipas drejtuesve të doganës pengesë serioze për realizimin e këtij aksioni ishte bërë prokuroria. Ndërsa kjo e fundit pretendonte se pranë saj nuk kishte mbërritur asnjë kërkesë për kallëzim penal rreth makinave të vjedhura. Po në kuadër të luftës ndaj kontrabandës, në raport citohet se, gjatë vitit 2007 janë mbikëqyrur 1230 anije, respektivisht 968 në Durrës, 188 në Vlorë, 52 në Shëngjin dhe 22 në Sarandë. Në kontrollet e kryera janë konstatuar shkelje doganore dhe penalizuar 29 subjekte, me një vlerë totale prej 70 mijë dollarë. Lufta dhe rezultati duket më i fortë në terrenin tokësor ku janë kontrolluar 861 subjekte, nga këto, 278 janë konstatuar me shkelje doganore, me një raport zbulimi në masën mbi 50 për qind. Shuma e gjobave të vendosura për këto subjekte arrin në 1.3 milionë dollarë. Kjo ka ardhur si rezultat i sasive të mallrave të sekuestruar për artikuj të ndryshëm, kryesisht të akcizave. Kështu, përgjatë vitit 2007 janë sekuestruar 365 litra verë dhe raki, 400 litra vaj ushqimor "Floriol", 622 kg kafe kokërr e papjekur dhe 40 krerë vica. Rastet për këtë të fundit janë shtuar shumë në pikat kufitare në juglindje të vendit. Problem për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave vazhdon të mbetet zhdoganimi i artikullit cigare, i cili për vitin 2007 rezultoi me 750 tonë mangët ose minus 16 për qind krahasuar me vitin 2006. Pra, për këtë artikull, dogana raporton se janë sekuestruar mbi 5 mijë steka cigare të markave të ndryshme. Nisur nga kriza e energjisë elektrike, kjo ka favorizuar disi administratën doganore, e cila falë rritjes së zhdoganimit të karburanteve me rreth 56 mijë tonë ka siguruar të ardhura shtesë. Rritje të zhdoganimit për artikuj të akcizash ka pasur edhe për birrën, e cila edhe pse prodhohet masivisht në vend, duket se konsumatori preferon më tepër atë të importit. Për 2007-ën, ky produktit regjistron një nivel zhdoganimi në masën e rreth 30 milionë litra, me një rritje prej 6.8 milionë ose 30 për qind. Rritje ka edhe kafeja me 8 për qind ose 446 tonë më tepër të zhdoganuar se në vitin 2006. Vëllimi i lartë i zhdoganimit natyrshëm tregon edhe rritjen e importit në total përgjatë vitit që shkoi, i cili rezultoi me 26 për qind më shumë se viti 2006. Në vlerë monetare importet rezultojnë në rreth 4 miliardë dollarë (385.110 milionë lekë), me një rritje prej rreth 800 milionë dollarë. Megjithatë duhet theksuar se rritje të vëllimit ka pasur edhe në eksporte me 27 për qind ose rreth 200 milionë dollarë më shumë se viti 2006, që gjithsesi mbeten në minorancë në krahasim me importet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›