Policia maqedonase, dhunë barbare ndaj shqiptarëve
Publikohen prova të tjera të dhunës makabre të policisë maqedonase ndaj shqiptarëve. "Top Channel" ka paraqitur filmimet që vërtetojnë krimet monstruoze të një force të rendit ndaj qytetarëve të saj, e cila vepron me egërsi të pashoqe vetëm e vetëm se "viktimat" janë të një kombësie tjetër. Pamjet e paraqitura mbrëmë japin skenat e tmerrshme të operacionit policor në fshatin Brodec, ku forcat speciale të policisë maqedonase reagonin në mënyrë çnjerëzore.
Akuzat
Zyra e Avokatit të Popullit të Maqedonisë ka reaguar duke i quajtur joprofesionale veprimet e policisë, përkatësisht
xhirimet që kanë bërë me celular. "Avokati i Popullit vlerëson se vetë publikimi i xhirimit para opinionit të gjerë, si dhe të dhënat se nuk është e njohur se nga kush është bërë e
njëjta, është indikacion për joprofesionalizëm gjatë veprimit të policisë, dhe është në kundërshtim me standardet e përcaktuara për veprim të policisë", nënvizoi Uranija Pirovska, zëdhënëse e Avokatit të Popullit. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Ministrisë
së Punëve të Brendshme, Ivo Koteski, thekson se videot janë një dëshmi për atë se policia është sjellë në mënyrë profesionale konform rregullativës ligjore. "Në mënyrë absolute vërtetohet
raporti që e bëri publik Sektori për Kontroll të Brendshëm se janë të respektuara të gjitha procedurat ligjore. Publikimi i këtyre videove është vetëm një tentim nga ana e disa partive politike për të manipuluar me opinionin se personat e arrestuar kanë qenë të keqtrajtuar. Aspak nuk janë të vërteta ato qëndrime", theksoi Koteski.
Partitë
Ndërkaq, forcat politike opozitare shqiptare kanë kërkuar menjëherë dorëheqjen e ministres së Brendshme, Gordana Jankulovska. "Keqtrajtimi i civilëve dhe arrestimi i 11 banorëve dëshmon se operacioni ka qenë i planifikuar dhe përcjell një mesazh te popullata shqiptare se ata mund të bëjë ç‘të duan. Krejt kjo është pasojë e rolit inferior, vasal, shërbëtor të subjektit politik shqiptar në këtë qeveri tashmë të dëshmuar antishqiptare. Në çdo shtet normal, në çdo shtet demokratik pas paraqitjeve të këtyre pamjeve të dokumentuara, së paku që mund të bëjë, është që ministrja Jankulovska të japë dorëheqjen", tha Xhevat Ademi, drejtues i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë. Dorëheqjen e ministres Jankulovska e kërkoi edhe Jani Makraduli nga LSDM-ja opozitare. "Situata është shumë e tmerrshme. Kjo tregon se në çfarë situatë është puna në Ministrinë e Brendshme, ku të incizosh me telefona celularë një gjë të këtillë dhe më pas ta shpërndash është e tmerrshme. Nuk besoj se ka në botë një shtet, ku ministrja e Punëve të Brendshme të së cilit, pas publikimit të incizimeve të këtilla, nuk do të jepte dorëheqje", theksoi Makraduli.