Ushqimet japin sinjalet e para tek inflacioni
Rritja e fortë e produkteve ushqimore në vend ka filluar të japë sinjalet e para te niveli i inflacionit. Bankës së Shqipërisë do t‘i duhet ndoshta të përballet me një valë të re të rritjes së inflacionit, teksa sinjalet e para kanë filluar të jepen që në muajin janar. Instituti i Statistikave njoftoi se çmimet për muajin janar janë rritur me 3 për qind krahasuar me një vit më parë. Vetëm brenda janarit çmimet janë rritur me 0.5 për qind krahasuar me një muaj më parë. Por Institutit i Statistikave bën të ditur se në këtë tregues nuk është përfshirë rritja e fortë e çmimeve në muajin shkurt. Inflacioni i janarit është më i ulëti që pas gushtit të vitit të kaluar, ku inflacioni arriti 4.4 për qind. Por gjithsesi, rritja e çmimeve është më e lartë se sa gjysma e parë e vitit të kaluar, ku inflacioni që nga janari deri në korrik ra nga 2.9 në 2.1.
Produktet që u shtrenjtuan
Rritjen më të fortë e kanë pasur ushqimet, të cilat duket se i kanë dhënë sinjalet e para të krizës që në fillim të vitit për të shpërthyer më pas në shkurt. Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një rritje prej 1.0 për qind, me një ndikim prej 0.4 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe prej 4.1 për qind vërehet në nëngrupin "zarzavate përfshirë patatet". Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të spinaqit me 13.1 për qind, specave me 8.1 për qind, domateve me 6.0 për qind, kastravecëve me 5.9, fasules e qepëve të thata me 2.1 për qind etj. Indeksi i nëngrupit "fruta" shënoi një rritje prej 2.6 për qind, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të limonëve me 18.5 për qind, mollëve me 4.5 për qind, dardhave me 4.1 për qind, mandarinave me 2.2 për qind, kivit me 1.3 për qind etj. Gjatë muajit janar çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet "vajra dhe yndyrna" me 1.9 për qind, "bukë e drithëra" me 0.7 për qind, "peshk" me 0.7 për qind. Ndërsa çmimet në nëngrupin "qumësht, djathë e vezë" shënuan një ulje prej 0.2 për qind.