E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha, vizitë në Londër për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, do të zhvillojë një vizitë pune në Londër nga 11 deri më 13 shkurt. Të martën, ministri Basha do të pritet nga ministri i Jashtëm britanik, Dejvid Miliband, ku tema diskutimi do të jenë perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në Samitin e Bukureshtit, procesi i integrimit në BE, zhvillimet në rajonin tonë, në veçanti ato në Kosovë. Gjatë qëndrimit në Londër, Basha do të takohet në Parlamentin britanik me kryetarin e Komisionit të Politikës së Jashtme, Majk Geps, si dhe me anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Lordëve. Ministri Basha është ftuar për të referuar në "London School of Economics", ku do të mbajë një fjalim me temë, "Integrimi evropian dhe euroatlantik i Evropës Juglindore". Përcaktimi i statusit të Kosovës me shpalljen e pavarësisë, me gjasë më 17 shkurt dhe shanset në rritje që Shqipëria ta marrë ftesën për anëtarësim në NATO në prill, ishin dy çështjet mbi të cilat e përqendroi konferencën për shtyp ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në të cilën paraqiti rezultatet e pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë, në Mynih. Shqipëria nuk e përjashtoi mundësinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt, por theksoi se publikimi zyrtar i takon Prishtinës. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, deklaroi se data publikisht dihej, ndonëse pa iu referuar 17 shkurtit të përmendur si më e mundshmja. Ministri shtoi se Tirana është kundër shtyrjes së statusit dhe se do të përfaqësohet në Prishtinë në nivel të lartë kur të shpallet pavarësia. "I takon Prishtinës zyrtare të bëjë datën zyrtarisht të njohur. Publikisht mund të themi se është folur shumë për të. Pra, njohja zyrtare e datës, publikimi zyrtar i datës, u takon autoriteteve të Prishtinës. Tirana zyrtare në momentet e shpalljes së pavarësisë do të bëjë të gjithë hapat normalë për të pasur përfaqësimin diplomatik në nivelin e duhur dhe llogarisë në përfaqësimin diplomatik në nivelin më të lartë. Në gjykimin tonë, shtyrja e procesit nuk ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon", ka thënë Basha. Ministri i bëri deklaratat pas pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua zgjerimi i NATO-s. Ai tha se ka mundësi të mëdha që Shqipëria ta marrë ftesën për anëtarësim në Samitin e prillit në Bukuresht. "Kemi kaluar nga një fazë skepticizmi i pajustifikuar, në një fazë optimizmi, i cili ndonëse mund të jetë i justifikuar, nuk i shërben procesit. Në qoftë se para disa javësh shpreheshim se nuk kemi asnjë çështje shqetësuese për sa i përket anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, sot mund të themi se shumica dërrmuese e vendeve të aleancës shprehin bindjen e tyre se Shqipëria është absolutisht në rrugë të drejtë dhe se vazhdimi në këtë rrugë nuk mund të konkludohet përveçse me një vendim pozitiv. Ne nuk shikojmë pengesa apo vështirësi serioze", tha ministri Basha. Kryetari i Shoqatës së Ekspertëve për të Drejtën Ndërkombëtare, Mark Elis, thotë se Rusia mund të pengojë që Kombet e Bashkuara të njohin pavarësinë e Kosovës dhe që ajo të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare. "Mendoj se kjo është armë shumë e fuqishme në duart e saj, por nga aspekti i Kosovës nuk është e një rëndësie kyçe, që pavarësinë e saj të shpallur njëanshëm ta njohin menjëherë Kombet e Bashkuara", tha Elis. Të paktën në fillim, thotë ai, për Kosovën shumë më e rëndësishme është që ta njohin vendet e tjera, që pastaj të punojë e në fund të pranohet në KB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›