E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria, licenca të kundërligjshme tetë farmacive

Ministria e Shëndetësisë licencon tetë farmaci në kundërshtim me ligjin. Sipas ligjit për barnat, farmacitë duhet të jenë 100-150 m larg njëra-tjetrës, në varësi të dendësisë së popullsisë. Në dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka licencuar shtatë farmaci në Tiranë dhe një agjenci farmaceutike në Roskovec të Fierit, duke shkelur 3 nene të ligjit për barnat. Gjatë licencimit nuk është respektuar distanca mes farmacive dhe vjetërsia e farmacistit në punë. Në Tiranë gjen farmaci që janë ngjitur me njëra-tjetrën. Vetëm një mur gipsi i ndan ato, madje mund të mendosh se mund të kenë edhe magazinë të përbashkët. Kryetari i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, akuzon Ministrinë e Shëndetësisë se e ka urdhëruar që të jepte një certifikatë në kundërshtim me ligjin e Urdhrit të Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë, ku ata e kanë shkelur me dy këmbë. Konkretisht shkeljet janë këto, sipas kryetarit të Urdhrit të Farmacistëve: "I kanë dhënë një ndihmësfarmacisti, të cilit nuk i takon që ta marrë atë. E dyta, i kemi bërë ankesë për tetë subjekte farmaceutike, që janë licencuar në mënyrë të paligjshme në kundërshtim me ligjin për barnat. Dhe e treta për ato ndryshime që ato i bëjnë certifikatave tona, duke i kaluar nga të punësuar në drejtues teknikë në kundërshtim me ligjin për shërbimin farmaceutik". Sipas Jaupllarit, ata kanë 20 ditë që janë ankuar dhe nuk kemi marrë asnjë përgjigje me shkrim përveç një përgjigjeje gojore nga ministri i Shëndetësisë, që të gjitha këto gjëra do t‘i ndryshojnë, ndërkohë që i shkelin pavarësisht se ato janë në fuqi në bazë të ligjit. Të gjitha farmacitë janë miratuar në mbledhjen e 21 dhjetorit të vitit 2007 të Komisionit të Licencimit të Aktivitetit Privat në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas ankesës së drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, nga Urdhri i Farmacistëve, të gjitha këto licenca janë dhënë në kundërshtim me ligjin. Konkretisht është shkelur ligji "Për barnat dhe shërbimin farmaceutik". Është dhënë një certifikatë për drejtues teknikë në agjencinë farmaceutike në Roskovec të Fierit. Ndërkohë që ligji parashikon që në zonat rurale, ku nuk ka farmaci, hapen agjenci farmaceutike me drejtues teknikë ndihmësfarmacistë. Në rastin konkret, Roskoveci jo vetëm që është zonë urbane, por ka edhe farmaci që mbulojnë shërbimin farmaceutik. Ndërsa shtatë farmacitë e tjera të licencuara në kryeqytet janë licencuar në kundërshtim me nenin 30, pika 2, të ligjit për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik, sipas të cilit ato duhet të jenë 100-150 m larg në varësi të dendësisë së popullsisë, një për çdo tremijë banorë.

Për këtë problem shkuam dhe u interesuam edhe në Qendrën e Kontrollit të Barnave. Njëra nga inspektoret e kësaj qendre, Anila Çeçi, tregon se Qendra e Kontrollit të Barnave është njëra nga hallkat që jep miratimin për licencimin e një farmacie.

Që një subjekt të kalojë te Komisioni i Licencave duhet më parë që të marrë një akt inspektimi nga Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. "Lidhur me subjektet që ju përmendni janë subjekte të inspektuara nga ne dhe kanë pasur disa probleme dhe për sa më sipër ne kemi informuar Komisionin e Licencave. Por, në fund të fundit, është ky komision që vendos. Ne i kemi nxjerrë këto konkluzione në bazë të ligjit për barnat. Të njëjtin ligj përdor edhe ky komision", shpjegon inspektorja e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Shkuam dhe pyetëm ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka. Ai deklaroi se Ministria e Shëndetësisë është duke parë mundësinë e ndryshimit të ligjit, që mundëson licencimin e farmacive. Dhe më konkretisht po shihet mundësia e heqjes së distancave mes farmacive, në bazë të kërkesave të tregut. "Ne po shohim edhe tregun në Republikën e Shqipërisë, sepse ai po kërkon të liberalizohet dhe po shihet me një vëmendje të veçantë heqja e distancave midis farmacive, edhe pjesa e stazhit të detyruar nga farmacistët", theksoi ministri i Shëndetësisë. Nga ana tjetër, Ndoka premton se do të merret vetë me verifikimin e këtij problemi. "Pa diskutim që inspektorët tanë do të kontrollojnë gjendjen. Sepse në çdo moment mund të bëhen gabime, si me dashje, ashtu edhe pa dashje, dhe detyra e Ministrisë së Shëndetësisë është që t‘i rikontrollojë dhe të marrë masat përkatëse. Nëse do të konstatohet se është shkelur ligji, ne do të marrim masa për pezullimin e atyre licencave derisa të ketë një ligj, që ne do ta zbatojmë. Ne jemi në liberalizimin e tregut, jemi në një moment të rëndësishëm, por kjo nuk do të thotë që duhet të ketë një shthurje apo anomali në ato procedura që ne i kemi fikse", përfundoi ministri i Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›