QSUT-së i shtohet "Parku oksigjen"
"Parku oksigjen". Ky është emri i hapësirës së blertë të ngritur së fundmi në mjediset e Spitalit Universitar "Nënë Tereza" në kryeqytet. Disa pemë bliri do të hijeshojnë këtej e tutje njërin prej shesheve përballë godinës së oksigjenit dhe fare pranë pavijonit të Onkologjikut në QSUT. Madje, në këtë park do të ketë edhe mundësi çlodhjeje për familjarët e shumtë të pacientëve në këtë qendër spitalore, që aktualisht rendin sa nga njëra shkallë në tjetrën në dyert e qendrave të trajtimit shëndetësor.
Mbjellja e pemëve, si dhe vendosja e disa gomave të pastruara dhe të lyera që kanë marrë formën e stolave të ndenjjes, ka qenë një nismë tërësisht vullnetare dhe me shpenzime personale e një grupi të rinjsh intelektualë dhe profesionistë. Lëvizja e tyre ndryshe quhet edhe "lëvizja për një Tiranë më të blertë". Misioni i saj lidhet me përafrimin e të rinjve profesionistë shqiptarë, që banojnë jashtë vendit, me Shqipërinë. "Nëpërmjet krijimit dhe ekzekutimit të projekteve që kanë të bëjnë me aplikimin e metodave bashkëkohore të shkencave dhe teknologjive të ndryshme, të zotëruara nga anëtarët e kësaj lëvizjeje, Shqipëria e blertë ka për qëllim t‘u japë mundësi anëtarëve të saj të aplikojnë aftësitë e tyre profesionale përkarshi nevojave të menjëhershme dhe sfidave të së ardhmes në vendin tonë". Kështu shprehet Gjergj Bakallbashi, njëri prej të rinjve aktivistë në këtë lëvizje. Që prej një dekade, ai jeton në Nju Jork, por duket se kjo nuk e ka penguar aspak që prej dy vitesh të përpiqet për të realizuar një seri projektesh vullnetare në Tiranë. Në planin më të afërt të këtyre të rinjve mbetet edhe krijimi i një hapësire për "ngjitje në mur", e cila konsiderohet si një përvojë relaksuese dhe mjaft sportive për qytetarët e kontinentit të largët, Amerikë. Gjergji tregon se ideja për këtë nismë erdhi pas shembullit të Ann Austin, një 70- vjeçare nga Bostoni, e përkushtuar pas ekologjisë. Po kështu inspirues në këtë nismë shton ai, ka qenë edhe Jeff Massarian, president i komunitetit armen në SHBA. Që prej 15 vitesh ata mbjellin pemë në Armeni dhe vitin e kaluar u numëruan plot 1 milion pemë të mbjella prej tyre. Gjergji ka dëshirë që të përmendë edhe emrat e të rinjve të tjerë, që i janë bashkuar dhe kanë mbështetur këtë lëvizje; Arbër Demiraj (Uashington D.C), Elda Kruja (Tiranë), Eni Bakallbashi (Nju Jork), Enkeleida Kapia (Boston) Evis Cama (Londër) Rudina Mullahi (Tiranë), Dhimitër Cipo (Tiranë) e shumë të tjerë. Ata shprehen se mbjellja e pemëve në ambiente publike është simbol dhe shprehje e dëshirës së tyre për të pasur sa më shumë sipërfaqe të blerta në këto hapësira.