Thaçi përcakton axhendën e pavarësisë
Krerët më të lartë të Kosovës kanë hartuar të gjithë axhendën për ceremonialin, por edhe për veprimet që do ndërmerren në lidhje me shpalljen e pavarësisë. Kryeministri Hashim Thaçi emëroi grupin për organizimin e ceremonisë së pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Kryeministri Thaçi pritet t‘u drejtohet mediave botërore. Në mbrëmje do të mbahet një koncert i madh dhe do të ndizen fishekzjarrët e pavarësisë. Po ashtu, gjatë kësaj jave pritet të takohet edhe grupi punues për hartimin e deklaratës së pavarësisë dhe Kryesia e Kuvendit e cila mund të caktojë datën e seancës së Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi tha se Parlamenti do të kryejë të gjitha obligimet për shpalljen e pavarësisë, simbolet, Kushtetutën dhe ligjet që dalin nga pakoja e Ahtisarit. "Për institucionet dhe qytetarët këto veprime do të krijojnë mundësi të reja në raportet me faktorët ndërkombëtarë", tha Krasniqi, pas takimit të sotëm me shefin e zyrës ndërkombëtare civile në Prishtinë, Jonas Jonson. Krasniqi rikonfirmoi vazhdimin e përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë nga Parlamenti, por pa dhënë shumë detaje. Me arsyetimin se të gjithë tani e dinë datën, Krasniqi përsëriti se ajo do të jetë gjatë këtij muaji dhe Parlamenti është i gatshëm të kryejë të gjitha obligimet ligjore.
Jozyrtarisht është njoftuar se data e shpalljes do jetë 17 ose 18 shkurti. Gjatë javës, Kryesia e Kuvendit mund të mblidhet për të caktuar mbajtjen e seancës. Ndërkohë, në mëngjes udhëheqësit e institucioneve: Sejdiu, Thaçi dhe Krasniqi kanë diskutuar sërish rreth përgatitjeve për deklaratën e pavarësisë. Krasniqi tha se ajo do të përmbajë nene nga projektkushtetuta.
Të gjitha përgatitjet për shpalljen po zhvillohen në koordinim me faktorët ndërkombëtarë. Kryeparlamentari diskutoi me shefin e zyrës ndërkombëtare civile në Prishtinë, Jonas Jonson, i cili konfirmoi vazhdimin e përgatitjeve për misionin e ri të Bashkimit Evropian. "Duam të sigurohemi se të gjitha kërkesat nga plani i Ahtisarit do të përgatiten mirë dhe do të kalojnë lehtësisht miratimin në Kuvend. Po shqyrtojmë sidomos kërkesat afatgjata, të rëndësishme për perspektivën evropiane", tha Jonson.
Këshilli i Bashkimit Evropian e ka aprovuar dërgimin e misionit në Kosovë, por ende nuk ka përcaktuar datën. I gjithë misioni do të ketë mbi 2 mijë pjesëtarë. Ministrat e Jashtëm të Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe ministri gjerman i Mbrojtjes, u shprehën se vendet e tyre do të kenë një qëndrim të përbashkët me vendet e Bashkimit Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel, duke mos dashur të spekulojë me datën se kur Kosova do ta shpallë pavarësinë, ka thënë se Sllovenia e mbështet vendosjen e Misionit Evropian në Kosovë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, tha
se Kosova ndodhet në ditët finale të detajimit të çështjeve teknike dhe administrative për shpalljen e pavarësisë së saj.
Ai tha se vendimi politik për shpalljen e pavarësisë së Kosovës është marrë dhe po bëhet bashkërendimi i veprimeve me bashkësinë ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të jenë të qetë dhe të ndjehen të sigurt, meqë Kosova sipas tij ka plan të sigurisë në periudhën e zgjidhjes së statusit. Kuqi tha se kemi pasur një angazhim të shtuar gjatë muajve të fundit dhe me siguri edhe ditëve të fundit dhe tanimë e kemi rrumbullakosur procesin e draftimit final të Kushtetutës së Kosovës dhe po ashtu kemi bërë edhe përzgjedhjen e simboleve të Kosovës që do të dërgohen për miratim në Kuvendin e Kosovës. Më shumë e më pak, Kosova i ka kryer të gjitha obligimet që janë kërkuar nga ajo nga bashkësia ndërkombëtare dhe tanimë kanë mbetur vetëm edhe bashkërendimi i hapave që nënkupton hapi i parë nga Kuvendi i Kosovës dhe i përcjellë menjëherë nga njohja ndërkombëtare".