E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, masa për sigurinë në ditën e pavarësisë

Përfaqësues të Komunës së Mitrovicës dhe të institucioneve të tjera në këtë komunë mbajtën një takim të përbashkët për të koordinuar punët dhe veprimet në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë kuadër u themelua një trup i përbashkët i përfaqësuesve të këtyre institucioneve, që do të jenë në kontakt të vazhdueshëm për menaxhimin e situatave emergjente. Në këtë takim, të thirrur nga Komiteti për Mbrojtje dhe Shpëtim nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë e Tjera, që funksionin në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, ishin të pranishëm kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, drejtorët e drejtorive komunale, komandanti i Zonës IV Mbrojtëse, gjen. Zymer Halimi, zv/komandanti rajonal i SHPK së, Sherif Hajra etj. Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se ka garancione nga strukturat e sigurisë se nuk do të lejohen probleme, por megjithatë duhet gatishmëri dhe përgatitje për festën e pavarësisë. Komandanti i Zonës IV Mbrojtëse, gjen. Zymer Halimi, tha se grupe të caktuara të TMK-së janë në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in për koordinimin e punëve në këtë kohë të ndjeshme. Zv/komandanti rajonal i SHPK-së, Sherif Hajra, tha se policia ka marrë të gjitha masat që të parandalohen incidentet gjatë kësaj kohe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›