E Diel, 1 Nëntor 2026

Lënia e duhanit, numër i gjelbër për këshillim

Mendimet se sa i dëmshëm është duhani në shumicën e rasteve nuk të ndihmojnë për ta lënë atë. Një metodë e mirë për të stimuluar heqjen dorë nga kjo substancë është edhe këshillimi. Dje në mbledhjen e Komitetit Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit u diskutua metoda më e fundit për të ndihmuar qytetarët. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që në të gjitha produktet e duhanit do të shfaqet dhe numri jeshil pa pagesë (0800 47 47), si një mundësi tjetër për ofrimin e asistencës për lënien e duhanit. Kjo linjë do të ofrojë këshillim falas për të gjithë ata persona që kanë dëshirë të lënë duhanin ose janë gjatë fazës së lënies. Dje në mbledhje, specialistët diskutuan se shumë shpejt do të qarkullojnë katër broshura me metodikat më të fundit për lënien e duhanit, duke plotësuar kështu edhe në një tjetër drejtim mbështetjen për publikun në kuadër të heqjes dorë nga produktet e duhanit. Në vendin tonë, edhe pse janë trajnuar 65 mjekë të familjes për të ndihmuar duhanpirësit për të lënë duhanin, pranë qendrave të tyre të punës nuk po shohim asnjë klinikë, që mund të japë asistencë teknike për lënien e duhanit. Kjo, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ndodh si pasojë e mungesës së interesimit të mjaftueshëm nga ana e drejtuesve të institucioneve shëndetësore, materialeve informuese dhe edukuese, moskoordinimi me kompanitë farmaceutike për të ndihmuar në tregtimin e preparateve për lënien e duhanit, mungesës së klinikave që ofrojnë asistencë për lënien e duhanit. Ndërkaq, sipas analizës që ka bërë grupi i punës në 15 rrethe rezulton se janë vendosur 45 gjoba në Tiranë, 10 në Fier, 7 në Berat, 2 në Korçë, në Malësi të Madhe dhe Ersekë. Zbatimin më të madh ligji i duhanit e ka gjetur në Berat, Poliçan dhe Lezhë, ndërsa rrethet Gjirokastër, Elbasan, Vlorë dhe shumë të tjera kanë pasur mungesë organizimi në këtë fushë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›