Mësuesit, Berishës: Drejtoresha e arsimit spekulon me detyrën
Një grup arsimtarësh të Zyrës Arsimore, Lushnjë, i kanë dërguar dje, një letër ankesë Kryeministrit Sali Berisha lidhur me atë që ata e kanë cilësuar si "sjellje arbitrare të drejtoreshës së Drejtorisë Arsimore në Lushnje, nga e cila kanë humbur besimin për të ardhmen". Në këtë letër të hapur për kreun e qeverisë mësuesit lushnjarë kanë shprehur "indinjatën edhe për heshtjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, lidhur me spekulimet në emër të demokracisë e të reformës arsimore, që dhunshëm po godet arsimin në Lushnjë". Ata shkruajnë se drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, Ardita Gjyla, kryetare e degës së PDR-së në këtë qytet e arsimuar në degën e Ciklit të Ulët "po pushon nga puna, po transferon dhe po kryen emërime të pamotivuara, duke nxitur korrupsionin e duke stimuluar rritjen e paaftësisë profesionale të mësuesve". Sipas këtij grupi mësuesish, që kanë një përvojë pune nga 20 deri në 35 vjet në arsim thuhet se "kjo drejtoreshë ka emëruar në detyrë, në shumë raste, njerëz pa arsimin përkatës, ose që nuk kanë përfunduar studimet". Sipas tyre "çoroditja e arsimit në Lushnje ka sjellë te të gjithë mësuesit zbehje të procesit mësimdhënës dhe pasiguri.
Edhe pse një pjesë e këtyre mësuesve përveç përvojës së gjatë ka në CV edhe kualifikime madje edhe studime pasuniversitare, ata pohojnë se "të gjithë jemi të privuar nga vendimet absurde të largimit nga detyra, fat të cilin e kanë edhe familjet tona, vajzat dhe gratë që për inatin tonë i largon drejtoresha nga puna pa asnjë arsye". Ky grup mësuesish lushnjarë shprehet se prej kohësh e ka ngritur zërin dhe presin, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. "Nuk mund të kontaktohet më me këtë drejtoreshë, pasi rreth vetes mban dy "bodyguard" dhe vendimet i merr i shoqi, i cili është emëruar prej saj si nëndrejtor i shkollës së mesme mekanike, pasi ka falsifikuar dëftesën e shkollës së mesme, që nuk e ka kryer. Për të ka filluar dhe procedimi penal", shkruhet më tej në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha. Ata kanë shtuar se "mësues pa arsim emërohen në mënyrë definitive, ku shumë të tjerë të diplomuar ditën nuk emërohen ose vendosen si provizor nga kjo drejtoreshë. Emërohen drejtues shkollash, që janë falsifikatorë të dëftesave dhe diplomave të burrave të tyre si Mimoza Hajdari e ndonjë tjetër që ka dijeni. Mbahen ende agronomë si mësues e drejtues, kur nivelet e tjera me arsimimin e plotë janë në pritje. Pretendohet se bëhet reformë, por në fakt abuzohet me udhëzimin e ministrit të Arsimit që drejtoresha e argumenton si ligj". Në fund ata kërkojnë nga Kryeministri që të ndërhyjë për të ndalur mënyrat denigruese të arsimit në Lushnjë nga kjo drejtoreshë.