E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, një projekt për të drejtat e fëmijëve

Tiranë- Të drejtat e fëmijë në thelb të një projekti. Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot projektin, i cili realizohet në bashkëpunim dhe me mbështetjen e UNICEF dhe Shoqatës ”Misionarët e të drejtave Sociale”, në kuadër të Planit Kombëtar dhe Rajonal të Veprimit për fëmijët.

Takimi u zhvillua në praninë edhe të  Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Z. Edi Rama e të Znj. Carrie Auer Drejtore Ekzekutive e UNICEF në Shqipëri, si dhe përfaqësues të shoqatave që operojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përfaqësues nga njësitë bashkiake dhe strukturat e bashkisë të cilat mbulojnë çështjet sociale.

”Besoj se nuk është e tepërt që t’i japim këtë rëndësi publike, një projekti të ri që Bashkia e Tiranës inicion sot, sëbashku me UNICEF-in, projektit  “Për politikat sociale, informacionin dhe advokacinë”, lidhur me të drejtat e fëmijëve dhe monitorimin në mbrojtjen apo shkeljen e këtyre të drejtave. Dua të them që ne kemi bërë shumë sëbashku me njësitë bashkiake, sëbashku me institucione ndërkombëtare dhe organizata jofitimprurëse për të përmirësuar kushtet e fëmijëve në kryeqytet, për të rritur vëmëndjen dhe nivelin e kujdesit ndaj tyre, për të krijuar mundësi që edukimi i fëmijëve në çerdhe, kopshte e shkolla të përmirësohet në të gjitha standartet, por ka ende shumë për të bërë”- tha Rama gjatë takimit të zhvilluar.

Ai ka renditur punët e bëra për fëmijët dhe rritjen e mirë të tyre apo edhe edukimin, që nga përmirësimi i infrastrukturës, këndet sportive, stimujt për nxënësit e dalluar, mbështetjen për fëmijët në nevojë e kështu me radhë.

”Ky projekt që ne prezantojmë sot është i një natyre tjetër, por është strategjik përsa i takon plotësimit të nevojës që vëmendja ndaj të drejtave të fëmijëve, monitorimi i garantimit të këtyre të drejtave dhe evidentimi i shkeljes së këtyre të drejtave të kthehet në një instrument institucional, të bëhet pjesë e shqisave të institucionit, të hyjë në angazhimin por edhe në aktivitetin e përditshëm të institucionit, duke u bërë mekanizëm në strukturën e tij”- përfundoi Rama. .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›