Verdhëza, 4 fëmijë në infektivin e Gjirokastrës
Gjirokastër- Ka shkuar në katër numri i fëmijëve të prekur nga hepatiti A në qytetin e Gjirokastrës.
Dy raste të tjera janë shtruar sot, duke e dyfishuar në këtë mënyrë edhe përhapjen e këtij virusi. Fëmijët, të cilët janë të shtruar në repartin infektiv të spitalit rajonal ‘Omer Nishani” në Gjirokastër janë duke marrë terapinë mjekësore të nevojshme dhe sipas mjekëve gjendja e tyre fizike paraqitet e stabilizuar.
Mësohet se të prekurit nga hepatiti A janë të moshave 5-8 vjeç dhe tri prej tyre janë anëtarë të së njëjtës familje, ndërsa i katërti rezulton fqinj me ta. Mjekët janë ende në pritje për të marrë përgjigjet e analizave të familjarëve të të prekurve, për të parë nëse virusi i verdhëzës i ka prekur edhe ata.
Ndërsa njëkohësisht priten edhe analizat që u janë bërë kampioneve të ujit të pijshëm, pasi një pikë dyshimi për përhapjen e sëmundjes është pikërisht uji.
Momentalisht sipas mjekëve, gjendja paraqitet nën kontroll dhe pas daljes së përfundimeve të analizave do të mund të flitet me saktësi për prekjen ose jo të anëtarëve të komunitetit, që jeton në periferi të qytetit të Gjirokastrës, në lagjen ‘Zinxhira”.
Rasti i parë i prekjes nga verdhëza u konstatua gjatë fundjavës së kaluar dhe me kalimin e ditëve rastet erdhën në rritje.