E Diel, 1 Nëntor 2026

ISHP: Meningjiti i tipit B, nuk ka vaksinë parandaluese

"Meningjiti është i tipit B dhe nuk mund të luftohet me vaksinë", sqaroi Dritan Ulqinaku, specialist i ISHP-së. Sipas tij, meningjiti bakterial nuk paraqet rrezik për popullatën, por nga ana tjetër, prindërit duhet të bëjnë kujdes që në rastet kur fëmijët të paraqesin shenjat e para, si temperaturë të lartë, apo kur kanë vatra infeksioni, të paraqiten për ndihmë të specializuar te mjeku. "Në vendin tonë nuk ka vaksinë për meningjitin. Ka tipe menigjitesh për të cilat ekziston vaksina, por aktualisht ajo nuk gjendet në tregun tonë", sqaroi Ulqinaku.

Sipas të dhënave kryesore, vaksina për fëmijët nën moshën 5 vjeç do të nisë në fillim të muajit mars. Çdo vit, raste të sëmurësh që paraqiten me meningjit me kompikacione janë nga 100 deri në 150. Vaksina për meningjitin dhe sëmundjet e tjera të rrugëve të frymëmarrjes do të përfshihet në kalendarin e vaksinave në mars, sipas Ministrisë së Shëndetësisë. Fëmijët nën moshën 6 vjeç do të vaksinohen për infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, ku futet edhe meningjiti, vetëm pas marsit të këtij viti. Vaksina, për shkak të kostos shumë të lartë, fillimisht do të përballohet nga donatorët dhe më pas nga Ministria e Shëndetësisë.

Pacienti, i cili preket nga meningjiti bakterial, mund të ketë një vatër infeksioni, e cila çon më pas në meningjit. Nëse sëmundja nuk lihet pas dore dhe trajtohet në kohë, nuk paraqet problem, në rast të kundërt, ajo e lë pacientin me pasoja të rënda.

Meningjiti është një infeksion i cipave të trurit (meningjeve) dhe cipave të palcës së kurrizit. Shkaktarë janë një sërë agjentësh infektivë, përfshirë baktere dhe viruse.

Shenjat më të zakonshme të infektimit të meningjeve nga meningokoku janë temperatura e lartë, dhimbje koke e vazhdueshme, ngurtësim i qafës, konfuzion mendor, ndjeshmëri e shtuar ndaj dritës dhe të vjella. Një shenjë karakteristike e infektimit nga menigokoku është shfaqja e petekieve, që janë njolla të vogla të kuqërremta në lëkurën e trupit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›