Prezantohet BMW-ja e re: Më shumë se vendi i tretë
BMW-ja ka prezantuar makinën e re, me të cilën do garojë në kampionatin e vitit 2008, ku do të tentojë të konfirmojë se është vërtet forca e tretë në këtë sport. Megjithatë, në markën gjermane ambicia nuk mungon: drejtues, pilotë dhe mekanikë shpresojnë se me F1.08 do ta bezdisin jo pak Ferrarin dhe MekLarenin. "Padyshim që do të jetë një objektiv i vështirë për t‘u arritur, ka shpjeguar shefi Mario Teisen, pasi të dyja skuadrat që ndodhen përpara nesh janë shumë të forta dhe kanë eksperiencë. Kundërshtarët do të bëjnë shumë përparime dhe kjo është arsyeja përse duhet të përmirësohemi më shumë se ata. Në dy vitet e fundit jemi paraqitur mjaft mirë dhe kjo është arsyeja përse të gjithë jemi optimistë. Për sa i përket besueshmërisë jemi ende një skuadër mesatare, por ambiciet tona do të na ndihmojnë të ecim më lart. F1.07 ishte një makinë e mirë: tashmë, me buxhetin ekstra që kishim në dispozicion jemi përmirësuar më shumë". Makina e re ka entuziazmuar edhe pilotët Nik Hajdfilld e Robert Kubika.