E Diel, 1 Nëntor 2026

Sëmundja e meningjitit godet Fierin dhe Klosin

Rastet e meningjitit bakterial, edhe pse jo i rrezikshëm, po shtohen nga dita në ditë. Është spitali i Tiranës, ai që po bashkon të gjithë të sëmurët në izolim, në dy pavijonet e infektivit te "Nënë Tereza". Ndryshe nga rastet e tjera, këtë herë sëmundja ngjitëse bakteriale ka prekur dy meshkuj. Në mesditën e djeshme ka mbërritur në spitalin e Tiranës një 4- vjeçar nga qyteti i Fierit, i cili sipas mjekëve është nisur në gjendje të rënduar. Ndërsa rasti tjetër, një 35-vjeçar nga Klosi është paraqitur me shenjat e meningjitit dhe është sjellë menjëherë për ndihmë të specializuar në Tiranë. Edhe qytetari nga Klosi ka shfaqur komplikacione dhe për të pasur një trajtim më profesional është nisur menjëherë drejt dhomave të izolimit në kryeqytet. Dy të prekurit më të rinj nga meningjiti janë duke marrë trajtim në dhomat e izoluara të vendosura në dispozicion nga spitali, sipas një urdhri gatishmërie të nxjerrë javë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. "Pacientët e fundit, që kanë mbërritur në spital do të qëndrojnë në izolim për 72 orë, ku po marrin trajtimin e duhur, ndërsa priten përfundimet e analizave.

Fieri

Një 4-vjeçar nga qyteti i Fierit, fëmija i vetëm i familjes Davidhi, është i prekuri i radhës nga sëmundja e meningjitit.

Sipas burimeve zyrtare nga Pediatriku i Fierit mësohet se rreth orës 21:00 të mbrëmjes së diel, pranë urgjencës së këtij spitali, është dërguar nga nëna Irena dhe babai Nikollaq, katër vjeçari, Athanasi Davidhi. Ka qenë mjekia pediatre, Lumturi Mileti, ajo që ka pritur e trajtuar këtë rast. Mjekia ka shënuar në kartelën e hapur për vogëlushin se temperatura e tij gjatë paraqitjes në spital ka qenë normale, rreth 36 gradë Celsius, ndërsa prindërit kanë thënë se në shtëpi, pas temperaturës, ata i kishin dhënë të birit një paracetamol. Duke mos konstatuar në fillim shenjat e meningjitit, mjekia e ka vendosur atë në një dhomë të katit të dytë të spitalit të fëmijëve. Rreth mesnatës, vogëlushi pasi ka marrë serum dhe inxheksione ka dhënë shenjat e një temperature të lartë. Menjëherë, pediatria roje ka dyshuar se Athanasi ishte me meningjit dhe në orën 03:00 pas mesnate e dërgon atë me urgjencë, drejt Spitalit Pediatrik të Tiranës. Në mesditën e së hënës, prej këtij të fundit, është komunikuar zyrtarisht se Athanasi Davidhi kishte meningjit.

Asnjë nga autoritetet shëndetësore nuk ka shkuar në banesën e Athanasit për të dezinfektuar mjediset e saj, si dhe të shpallë karantinën.

Klosi

Rasti më i fundit me meningjit është regjistruar në orët e mesditës të së dielës, në spitalin e qytetit të Klosit, në Rrethin e Matit, ku në gjendje të rëndë pranë spitalit të këtij qyteti, është paraqitur për ndihmë mjekësore, 35-vjeçari, Astrit Hidri. Sapo morëm kontakt me të sëmurin, thotë mjekia e spitalit, Die Elezi, vërejtëm se ai kishte shenjat tipike të sëmundjes së meningjitit. Temperaturë shumë të lartë deri 41 gradë, të dridhura (konvulsione) dhe të vjella. Vumë në dispozicion për uljen e temperaturës së tij, gjithë shërbimin tonë të urgjencës, por edhe kundrejt mjekimit tonë, temperatura nuk ulej, gjë që na bëri të dyshojmë seriozisht për prekjen e tij nga sindroma e meningjitit bakterial, thotë ajo. I sëmuri vuante prej kohësh nga sëmundja e epilepsisë kronike dhe trajtohej si invalid i grupit të dytë, me diagnozën "epilepsi refraktare". Duke e ditur këtë, në dozën e perfuzionit (serumit), përveç ilaçeve për uljen e temperaturës, u injektuan edhe qetësues të epilepsisë. Duke parë se rasti i trajtimit mjekësor të 35-vjeçarit, nuk po shkonte mirë, aty rreth orës 18:00, e dërguam në spitalin e Burrelit, për një trajtim më të kualifikuar mjekësor. Por edhe mjekët e këtij spitali, me gjithë përpjekjet e tyre, nuk kanë mundur ta nxjerrin pacientin nga gjendja e rëndë. Drejtori i këtij spitali, Islam Mamica, tha për "Shqip", se pas kryerjes së analizave dhe pamundësisë për uljen e temperaturës, u bindëm se i sëmuri, ishte goditur nga sëmundja ngjitëse e meningjitit bakterial. Ndaj e nisëm atë drejt Tiranës, për të marrë ndihmën e duhur dhe të kualifikuar mjekësore, për të dalë nga gjendja e rrezikut për jetën, sqaron ai.

Alarmi

Asnjë dezinfektim në kopshtin e 4-vjeçarit të sëmurë

Gjatë paradites së hënë, urgjenca dhe dhoma në spital, ku qëndroi vogëlushi janë dezinfektuar, ndërkohë që në kopshtin ku ai ka qenë deri të premten e javës së kaluar dhe në shtëpi, ende nuk është kryer një proces i tillë, si dhe nuk është vendosur karantina. Stafi i edukatorëve të kopshtit Nr.3 në Fier është alarmuar nga frika e prekjes prej meningjitit. Sipas tyre, asnjë nga punonjësit e Shëndetësisë nuk ishte paraqitur ditën e hënë, me qëllim marrjen e masave në ambientin, ku vogëlushi ka qenë vetëm pak ditë më parë. "Sot asnjë nga ata të Shëndetësisë së rrethit nuk ka ardhur. Frika ekziston mes nesh, pasi kemi të bëjmë me shumë fëmijë. Vetëm në grupin tim, që janë në të njëjtin grup me 4-vjeçarin e prekur nga meningjiti, regjistrohen 35 fëmijë. Kërkojmë që të dezinfektohet të paktën kopshti ynë. Interesimi i prindërve gjatë pasdites, pas përhapjes së informacionit se një vogëlush i këtij kopshti ishte me meningjit ka qenë tepër alarmant", ka thënë edukatorja e 4-vjeçarit, Vjollca Dashi.

Masat

Spitali në gjendje alarmi

Në orën 14:00 të mesditës së hënë, Drejtoria e Spitalit të Fierit ka organizuar një mbledhje urgjente. Ka qenë drejtori i spitalit Artur Gjika, ai që ka thërritur të gjithë vartësit e tij për të dhënë një sërë udhëzimesh lidhur me masat që do të merren pas rastit të parë me meningjit. Është rritur numri i mjekëve në të gjitha urgjencat: në spitalin rajonal dhe atë pediatrik. Është siguruar i gjithë mjekimi ndaj meningjitit, që mund të kryhet edhe në Fier. Ndërkohë urgjencat e të dy spitaleve të Fierit kanë qenë të tejmbushura me pacientë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›