Pistorius, jashtë Olimpiadës: Protezat i japin avantazh
Oskar Pistorius nuk do të lejohet të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Pekin 2008. Kjo është marrë nga Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF), e cila ka zyrtarizuar vendimin për atletin afrikano-jugor, i cili garon me proteza speciale në këmbë. Por, sipas drejtuesve të IAAF, protezat e përdorura nga Pistorius shkelin nenin 144.2 të rregullores, pasi ato i japin 21-vjeçarit një "avantazh teknik". Vendimi është bazuar në relacionin e profesor Piter Brugeman, docent biokimie në Universitetin e Këlnit, pas rezultateve që ai ka kryer në nëntor 2007. "Protezat e përdorura nga atleti duhet të cilësohen si ndihmë teknike dhe, për këtë arsye, Pistorius nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga IAAF, citonte deklarata. Është e qartë se ai është në gjendje të garojë me të njëjtën shpejtësi si atletët normalë, por duke konsumuar më pak energji. Një atlet që përdor këto proteza ka një avantazh mekanik në vlerën 30 për qind më shumë se atletët që nuk përdorin proteza".