Bekenbauer kundër trios së Bajernit
Presidenti i Bajernit të Mynihut, Franc Bekenbauer, ka sulmuar disa nga yjet e Kombëtares gjermane, vetëm pak orë para zhvillimit të miqësores me Austrinë, vendit organizator të "Euro 2008". Dy herë fituesi i Kupës së Botës, si lojtar dhe trajner, kritikoi ashpër mesfushorin Bastian Shvajnshtajger, sulmuesin Lukas Podolski dhe mbrojtësin Filip Lahm, pasi ata nuk kanë arritur të përmirësohen më shumë pas "shkëlqimit" në Botërorin e vitit 2006, ku udhëhoqën Kombëtaren gjermane drejt vendit të tretë. Bekenbauer mendon se ata kanë rënë nga forma që gëzonin dhe kanë qenë zhgënjyes në paraqitjet e tyre gjatë muajve të fundit. "Vetëm 18 muaj më parë ata u festuan si heronj të Kupës së Botës, por kanë humbur shumë nga forca e tyre që në atë periudhë", u shpreh Bekenbauer për "Bild". "Ndoshta kjo është një gjë psikologjike, por ata nuk e kanë ripërsëritur atë paraqitje të shkëlqyer në ndeshjet e kampionatit", vijoi ai. Sulmi ndaj tre titullarëve të Kombëtares është dukur shumë i çuditshëm, edhe për faktin se futbollistët i përkasin pikërisht Bajernit të Mynihut, skuadrës së Bekenbauer. Megjithatë, ky i fundit ka bërë të ditur se shpreson që lojtarët në fjalë të rikthehen sa më parë në nivelin e kërkuar për të ndihmuar Kombëtaren në luftën për trofeun evropian. "Unë shpresoj që heronjtë tanë të rinj të ripërsëritin formën që treguan në Botëror edhe kur të fillojë "Euro 2008". Vjena është një mundësi e mirë për ta, që të fillojnë gjithçka nga e para", u shpreh Bekenbauer për tre lojtarët. Shvajnshtajger, Lahm dhe Podolski ishin disa nga zbulimet e Botërorit të fundit, por që në atë periudhë nuk kanë arritur të bindin, edhe për faktin se nuk kanë pasur mundësi të provojnë vlerat e tyre në Ligën e Kampioneve me Bajernin. Për më tepër, Podolski ka humbur edhe vendin e titullarit pasi bavarezët afruan në skuadër Luka Tonin dhe Miroslav Klosen, pa harruar edhe Frenk Riberi, që ka zënë vendin e Shvajnshtajger si organizator. Por deklarata e Bekenbauer ka shërbyer edhe për t‘i dhënë një këshillë trajnerit Joakim Lëv për ndeshjet e ardhshme miqësore, ku sipas tij duhej të aktivizoheshin si titullarë dy sulmuesit Kuranji e Klose. "Unë mendoj se Kuranji është partner më i mirë për Klosen, pasi është më fleksibël dhe një vrapues i mirë", u shpreh ai, duke "injoruar" Mario Gomez, një prej zbulimeve të vitit të fundit nga Lëv, që e ka aktivizuar si titullar sulmuesin.