Krasniqi, nga ringu në koment
Edhe pse sfida me Dimitrenkon, e planifikuar në muajin mars është anuluar, Luan Krasniqi vazhdon të jetë i angazhuar. Shqiptari që bokson në kategorinë e peshave të rënda, do të jetë prezent në ndeshjen ndërmjet Vladimir Klitçko dhe Sultan Ibragimov, që do të zhvillohet në Nju Jork. Krasniqi do të marrë pjesë në këtë sfidë, të vlefshme për titullin botëror, si analist i televizionit gjerman, RTL. Gjatë këtij muaji, kampioni i lindur në Junik, në vitin 1971, do të angazhohet sërish edhe në luftën kundër varësisë ndaj bixhozit, kryesisht ndaj basteve sportive, me moton: "Mos u bë kundërshtar i vetvetes". Megjithatë, "Rotvajleri" nuk do të "harrojë" as seancat stërvitore, duke qëndruar në pritje të një kundërshtari. Në lidhje me këtë, Krasniqi ka thënë: "Promotori im, Klaus-Peter Kohl, më ka thënë se do të bëjë çdo gjë për të organizuar një duel në gjysmën e parë të vitit 2008. Kësaj unë i besoj".