E Diel, 1 Nëntor 2026

FIFA cakton Shqipërinë "mbikëqyrëse"

FIFA ka diskutuar edhe për çështjen e Kosovës në mbledhjen e Komisionit të Federatave të zhvilluar gjatë ditës së djeshme. Drejtuesit më të lartë të futbollit botëror kanë diskutuar rreth afateve të mundshme të anëtarësimit të Federatës Kosovare të Futbollit në FIFA, në momentin e parë kur ky shtet të marrë pavarësinë e plotë të njohur nga të gjitha organizatat ndërkombëtare. Për ta bërë më të thjeshtë tranzicionin, Federata Shqiptare e Futbollit është caktuar si "mbikëqyrëse" e Federatës Kosovare. Detyra e FSHF-së do të jetë të ndihmojë në krijimin sa më të shpejtë të strukturave të kësaj federate dhe fillimin normal të punës së sektorëve në veçantë, në mënyrë që FFK-ja të anëtarësohet menjëherë në organizatat ndërkombëtare, sapo Kosova të shpallë pavarësinë. Dy federatat kanë bashkëpunuar edhe në të kaluarën mbi programe të ndryshme, por tashmë FSHF-ja do të vërë në dispozicion të FFK-së të gjithë specialistët e saj, në mënyrë që të ndihmojë anëtarësimin më të shpejtë të Kosovës në hartën e futbollit ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›