E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana mbush xhepat e trajnerëve, 80 milionë të shpenzuara këtë sezon

Skuadra e Tiranës ka shënuar një tjetër rekord në futbollin shqiptar, duke arritur të shpenzojë një shumë më të lartë se 80 milionë lekë gjatë një sezoni vetëm për trajnerët. Sipas përllogaritjeve të thjeshta, bardheblutë kanë shpenzuar më shumë se 80 milionë lekë të vjetra gjatë këtij sezoni për tre trajnerët e emëruar deri tani, një shifër shumë e lartë për nivelin e futbollit shqiptar.

Gjithçka ka filluar me Sulejman Starovën, i cili mori skuadrën në fillimin e edicionit, duke e drejtuar në Kupat e Evropës dhe më pas në javët e para të Kategorisë Superiore. Pas shkarkimit nga puna si trajner i bardhebluve, Starova u dëmshpërblye për pjesën e mbetur të kontratës së tij, duke përfituar 25 milionë lekë të vjetra nga katër donatorët e Tiranës. Emërimi i menjëhershëm i Astrit Hafizit në stolin bardheblu solli një tjetër shpenzim të ndjeshëm për xhepat e donatorëve. Trajnerit shkodran iu premtuan 30 milionë lekë të vjetra, shifër që më pas u konfirmua me shkrim në kontratën e tij me drejtuesit bardheblu. Edhe në këtë rast, Hafizi u shkarkua dhe tashmë do të tërheqë qetësisht vlerën e mbetur që bardheblutë i detyrohen për prishje të njëanshme të kontratës. Negociatat me Sulejman Memën nuk kanë zgjatur shumë, sepse ky i fundit ka rënë dakord, pasi i është komunikuar se për këtë sezon do të përfitojë minimalisht 23 milionë lekë të vjetra, ndërsa 9 milionë të tjerë do të shtohen nëse arrin objektiva të caktuar si titulli, kupa dhe ecuria në Kupat e Evropës. Me një përllogaritje të thjeshtë matematikore, donatorët bardheblu kanë shpenzuar deri tani 87 milionë lekë të vjetra për trajnerët vetëm për këtë edicion, një shifër marramendëse, po të merret parasysh se nuk është mbyllur ende faza e dytë e kampionatit. Normalisht, edhe Mema ka vendosur në kontratën e tij klauzolën e dëmshpërblimit në rast të shkarkimit, duke qenë i ndërgjegjshëm për fatin që kanë pësuar pasardhësit e tij. As ai nuk e ka të sigurt qëndrimin në stolin bardheblu, deri në fundin e sezonit, siç ka ndodhur shumë herë më parë me këtë skuadër, edhe kur gjithçka shkonte mirë. Mjafton të kujtosh që gjatë vitit të kaluar ishte shefi i klubit, Shkëlqim Muça, ai që drejtoi skuadrën drejt titullit, pasi nga bardheblutë u largua Mirel Josa, edhe pse Tirana ishte e para në renditje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›