E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapelo vendos diktatin, Anglia, si "fushë ushtarake"

Ligji i ashpër i Fabio Kapelos i ka lënë pa fjalë lojtarët e Kombëtares angleze. Fakti që tekniku italian përdor "dorën e hekurt" dhe mënyrat e forta njihej nga të gjithë, por rregullat e reja që ai ka vendosur kanë bërë bujë jo vetëm brenda skuadrës, por edhe në opinionin sportiv të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas tabloidit "The Sun", hoteli "Shpella e Uatfordit" është shndërruar në një "fushë ushtarake", ndërkohë që "Daily Mirror" analizon rrugën e re në të cilën do të ecë ekipi përfaqësues në erën "Kapelo". Futbollistët po përpiqen të asimilojnë diktatin e vendosur nga trajneri i ri: Rio Ferdinand e ka cilësuar grumbullimin si "dita e parë e shkollës", ndërkohë që Stiven Xherard, i cili do të mbajë shiritin e kapitenit në sfidën me Zvicrën, është treguar më diplomat, duke pohuar "se ajo që vlen më shumë në këto momente është respekti reciprok dhe rezultatet e skuadrës". Nëse mblidhen në total, rregullat që duhen zbatuar me përpikëri janë 10: asnjë vonesë nuk do të tolerohet; ndalohet shërbimi në dhomë; telefonat celularë mund të përdoren vetëm nëpër dhoma (ndalohet përdorimi në tavolina apo në dhomat e zhveshjes); futbollistët do të hanë të gjithë së bashku dhe askush nuk mund të largohet nga tavolina përpara Kapelos; në restorant lojtarët duhet të vishen në mënyrë elegante dhe duhet të mbajnë të veshur uniformën e Kombëtares në takimet publike dhe përpara ndeshjeve; darka do të hahet në orën 20:00 dhe në orën 22:00 të gjithë duhet të jenë detyrimisht në dhomat e tyre; asnjë vizitë nga bashkëshortet, të afërmit apo nga menaxherët gjatë ditëve të grumbullimit; pas darkës, lojtarët do të kenë 45 minuta në dispozicion për të zhvilluar aktivitete jashtë grumbullimit, por nuk lejohet të dalin nga hoteli; ndalohen lojërat kompjuterike (playstation); të gjithë lojtarët do të thërriten me mbiemër. Sikur këto të mos mjaftonin, Kapelo ka "vënë dorë" edhe në dietën e lojtarëve, duke hequr kaloritë e tepërta dhe ushqimet që i shëndoshin: nuk lejohet alkooli, gjalpi, çokollatat, proshuta, pijet me gaz dhe kafeja. Të vetmet gjëra ku lojtarët do të kenë liri të plotë konsumi janë uji dhe frutat e freskëta.

Nga ana e tij, Kapelo ka këmbëngulur se rregullat e reja do ti shërbejnë skuadrës së tij. "I vendosa rregullat sepse ne do të qëndrojmë së bashku vetëm për tri ditë dhe në këtë periudhë të shkurtër duhet të vendosim një mënyrë pune", tha trajneri për "Sky Sports News", këtë herë nëpërmjet një përkthyesi. "Nëse dikush është i çuditur nga këto rregulla, atëherë nuk duhet të jetë mësuar. Megjithatë, të gjithë ne duhet të ndjekim rregulla të caktuara në punën tonë. Nuk shoh ndonjë arsye përse dikush duhet t‘i thyejë rregullat. Njerëzit gabojnë, por nëse do të jesh pjesë e një grupi, duhet të përshtatesh me rregullat. Nëse do këtë shkelje, situata do analizohet dhe do merren masa përkatëse". Kapelo u shpreh i impresionuar nga mentaliteti anglez dhe parashikoi një të ardhme të suksesshme: "Lojtarët janë njësoj gjithandej. Këtu gjeta shumë bashkëpunim dhe kjo më bëri përshtypje. Me këtë shpirt skuadre dhe këtë mentalitet besoj se do të bëjmë gjëra të mira".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›