E Diel, 1 Nëntor 2026

Zyrtarizohet kriza kuqeblu, përjashtohen Kraja dhe Ahi

Analiza e djeshme në klubin Vllaznia është mbyllur me vendimin surprizë të drejtuesve shkodranë, për të përjashtuar dy futbollistët Elvis Kraja dhe Franc Ahi. Kjo lëvizje e kuqebluve ka dekretuar përfundimisht faktin se kjo skuadër është në krizë të thellë, ndonëse para fillimit të pjesës së dytë të sezonit shihej si pretendente për titull. Humbja me Kastriotin dukej se kishte nevojë për "kurban", në mënyrë që skuadra të justifikohej përpara tifozerisë shkodrane. Ndaj, gjatë ditës së djeshme është marrë edhe vendimi drastik i këtyre dy futbollistëve, të cilët zyrtarisht "nuk janë impenjuar në maksimum" në sfidën me krutanët. Vendimi ka shkaktuar shumë çudi, si në radhët e vetë ekipit, ashtu edhe te tifozeria. Arsyeja është shumë e thjeshtë, Kraja nuk ka qenë në fushën e lojës në pjesën e dytë të ndeshjes, kur Kastrioti shënoi dy gola radhazi, duke siguruar fitoren 3-1. Ndërsa Ahi ka qenë vetëm "figurant" në minutat e fundit të takimit, por mbi të rëndon fakti se nuk ka qenë "serioz në stolin e rezervave", në momentet kur skuadra ishte në disavantazh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›