E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralajmërimi i fundit: Do ta përjashtojmë Shqipërinë

Paralajmërimi më i fundit rreth konfliktit ndërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe shtetit shqiptar, ka ardhur nga Komisioni i Federatave. Në takimin e zhvilluar dje në selinë qendrore të FIFA-s në Zyrih, është përcaktuar edhe data 21 shkurt, si afati final për të ndërprerë çdo lloj sulmi dhe për të reaguar në mënyrë pozitive në situatën e krijuar. "Në takimin e Komisionit të Federatave, pika e parë në rendin e ditës ka qenë ndërhyrja e shtetit në futboll dhe diskutimet kanë nisur me gjendjen në Shqipëri", ka bërë të ditur zyra për shtyp në FSHF. "Fillimisht ka referuar këshilltari i presidentit të FIFA-s për çështje speciale, Zherom Shampanj, i cili i ka parashtruar të pranishmëve, ecurinë e marrëdhënieve të acaruara ndërmjet FSHF-së dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Janë evidentuar në këtë rast disa momente kyçe, në të cilat FIFA dhe UEFA kanë asistuar".

Një çështje që është prekur gjerësisht ka qenë mosfirmosja e statutit të institucionit që drejton sportin më popullor në vend. Problem përbëjnë edhe ndryshimet e miratuara në ligjin për sportin, të cilat bien ndesh me parimet e FIFA-s dhe UEFA-s. "Në takim është përmendur rasti i mosfirmosjes së statutit të federatës, edhe pas bisedës me zv/presidentin e FIFA-s, z. Senes Erzik. Ndër të tjera, Komisioni i Federatave ka shprehur qëndrimin se ndryshimet e miratuara në ligjin për sportin bien ndesh me statutin e organizmave më të rëndësishëm të futbollit botëror dhe ai është bërë pa reflektuar vërejtjet e FSHF-së dhe të FIFA-s e UEFA-s". Megjithatë, këto nuk janë pikat e vetme që u diskutuan rreth konfliktit: "Janë paraqitur edhe argumente të tjera, siç është rasti i urdhrit për auditin e brendshëm, i cili është një shkelje e hapur ligjore, saktësoi zyra për shtyp. Gjithashtu, u hodh poshtë akuza për përfshirje të presidentit të FSHF-së, në trukimin e ndeshjeve për EURO 2008". Këshilltari i presidentit të FIFA-s për çështje speciale, Zherom Shampanj, ka thënë: "Ata i përdorën akuzat e tyre në shtyp, me qëllim që të ulnin imazhin e presidentit të FSHF-së, ndërkohë që ne i kishim kërkuar fakte". Pas tij, fjalën e ka marrë kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili i bëri të pranishëmve një përmbledhje të plotë të situatës në Shqipëri, të luftës gati trevjeçare të shtetit ndaj institucionit të futbollit dhe të veprimeve të tjera, të cilat e kanë detyruar disa herë FIFA-n dhe UEFA-n, që të ndjekë me shumë seriozitet zhvillimin e ngjarjeve. Në vijim, anëtarët e Komisionit të Federatave kanë diskutuar gjatë për këtë problem, duke shprehur shqetësimin për situatën ku ka hyrë futbolli në Shqipëri. Në fund u ra dakord, që nëse shteti shqiptar nuk do të reagojë, Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në mbledhjen e datës 21 shkurt, do t‘i kërkohet përjashtimi i Shqipërisë nga organizmat e futbollit evropian dhe botëror. "Meqë shteti shqiptar nuk do të firmosë një statut, sipas parimeve të FIFA-s dhe UEFA-s, atëherë ne do të kërkojmë përjashtimin e Shqipërisë nga ky organizëm", u shpreh kryetari i komisionit, Xheofrei Tompson, që është njëkohësisht edhe president i Federatës Angleze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›