NBA, Brajant, më i riu që shënon 20 mijë pikë
Kobi Brajant vendos një rekord të ri. Ylli i Los Anxhelos Lejkërs është bërë basketbollisti më i ri në NBA, që arrin kuotën e 20 mijë pikëve të shënuara. 29-vjeçari i lindur në Filadelfia ka thyer rekordin historik në fitoren që skuadra e tij arriti kundër Nju-Jork Niks. Në këtë klasifikim Brajant ka kaluar dy idhuj legjendarë të basketbollit botëror, si Uilt Çamberlein dhe Majkëll Xhordan. Në parketin e stadiumit mitik "Medison Skuer Gardën" ai realizoi 39 pikë, të shoqëruara me 11 topa të fituar në tabelë dhe 8 asist. Emri i Brajant, që historikisht është cilësuar si "Djaloshi i Artë", është shënuar në librin historik të basketbollit dhe rekordi u arrit pas 811 takimeve të luajtura si profesionist. Çamberlein shënoi 20 mijë pikë kur ishte 29 vjeç e 134 ditë, ndërsa Xhordan, ish-ylli i Çikago Bulls, ka qenë 29 vjeç e 326 ditë.