MASH: Braktisja në Fier, të ndërhyjnë komunat dhe bashkia
Problemi i braktisjes së shkollave nga i ftohti në rrethin e Fierit, i ngritur dje në gazetën "Shqip", duhet të gjejë zgjidhje në bashki dhe komuna. Kështu është shprehur dje për "Shqip" shefja e investimeve në MASH, Arta Tane. E pyetur nëse është në dijeni të mosfrekuentimit të shkollës nga i ftohti, ajo tha se "me këtë problem u njohëm nga media dhe ministria mund të dërgojë specialistët e drejtorisë arsimore përkatëse për të parë gjendjen". Ndërsa lidhur me masat që duhet të merren për sigurimin e mjeteve ngrohëse, Tane deklaroi se "kjo është kompetencë e Bashkisë Fier dhe e komunave përkatëse dhe MASH nuk mund t‘u kërkojë llogari atyre nëse nuk furnizojnë shkollat me ngrohje në dimër". Sipas saj, vendorët marrin fond të pakushtëzuar direkt nga Ministria e Financave. Fondi i ngrohjes shpërndahet në bazë të numrit të popullsisë. "Mënyrën se si i kanë shpenzuar paratë e ngrohjes bashkitë dhe komunat i kontrollon vetëm Kontrolli i Lartë i Shtetit". Kështu shprehet për "Shqip" përgjegjësja për investimet në Ministrinë e Arsimit. Ndërkohë, lidhur me të gjitha problemet që lindin në shkollë, MASH pas marrjes së sinjalizimit nga çdolloj burimi dërgon grup inspektimi. Për sa i përket cilësisë, ajo merr masa direkte ndaj drejtuesit të shkollës dhe drejtorit të arsimit, ndërsa për sa i përket godinës nuk mund të marrë asnjë masë, pasi ato menaxhohen direkt nga kryetarët e komunave dhe bashkive të të gjithë vendit. Gjithsesi, duhet theksuar se në raste ekstreme, kur rrugët janë të pakalueshme, apo kur i ftohti është i madh dhe në shkollë mungojnë gjysma e nxënësve, drejtori i shkollës i bën kërkesë drejtorisë së arsimit për pezullimin e mësimit. Kjo e fundit i drejtohet MASH-it dhe vetëm me urdhrin e ministrit, Genc Pollo, një shkollë mund të mbyllet për një periudhë kohore. Në raste të tjera, dera e shkollës duhet të qëndrojë gjithnjë e hapur me dhe pa sistem ngrohjeje.