Bello: Qeveria fut duart në xhepat e qytetarëve
Socialistët akuzuan edhe dje qeverinë se po fut duart më thellë në xhepat e shqiptarëve. Deputeti Marko Bello shprehu pakënaqësi për projektligjin "Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme", që ka të bëjë me rastet kur banesa apo toka shitet apo dhurohet. Ndërsa shteti merr 10% tatim nga diferenca midis çmimit të blerjes dhe atij të shitjes së pasurisë. Sipas tij, ky udhëzim është treguesi më i qartë se kjo qeveri, jo vetëm nuk po respekton programin, por ai demonstron oreksin e madh të një qeverie grykëse, që po e fut dorën gjithnjë e më shumë në xhepat e qytetarëve të varfër shqiptarë. "Të tatosh sot me 10% çdo shitje banese apo trualli, madje dhe në rastin e dhurimit, është një cinizëm i madh", konstatoi Bello. Ai nënvizoi se qytetarët shqiptarë kanë ende probleme të mëdha me strehimin dhe në 17 vite pluralizëm është bërë shumë pak, për të mos thënë aspak në këtë drejtim. Ndërsa t‘i tatosh shqiptarët, çiftet e reja sidomos që në banesën e parë, është as më shumë as më pak t‘i rritësh atyre çmimin dhe praktikisht t‘ua bësh të pamundur ëndrrën për një strehë.