E Diel, 1 Nëntor 2026

Braçe: Berisha, në interpelancë për ekonominë

Kryeministri dhe qeveria po shkelin parimet dhe liritë e tregut në vend. Ky ishte konstatimi i djeshëm i nënkryetarit të grupit parlamentar socialist, Erion Braçe. Sipas tij, qeveria ka nxjerrë gjatë këtyre muajve të fundit disa akte apo udhëzime, që kanë forcën e akteve nënligjore në veprim, të cilat cenojnë rëndë lirinë e tregut. "Sot përmes një udhëzimi, të gjithë operatorët në treg janë të detyruar të paguajnë çmime referuese në të gjitha zyrat doganore ku ata paraqiten për të zhdoganuar mallrat e tyre", tha Braçe. Pra, sqaroi ai, jo çmime me fatura, jo çmime të vendosura mbi bazë të aktmarrëveshjeve apo kontratave në fuqi me partnerët e tyre në import, por çmime referuese, të cilat i përcakton qeveria dhe agjencia e saj, që është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Braçe tha se ka kërkuar që Kryeministri, Sali Berisha, të vijë dhe të përgjigjet e para për mosmbajtje të premtimeve të tij, lidhur me zhdukjen e çmimeve referuese nga i gjithë sistemi ekonomik në Shqipëri. Dhe së dyti, lidhur me qëndrimin e tij përkundrejt ekonomisë së tregut dhe parimeve të ekonomisë së tregut, lirisë ekonomike në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›