E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: Berisha, përgjegjës për ngecjen e reformës

Lëvizja Socialiste për Integrim e cilësoi Kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës kryesor për ngecjen e reformës zgjedhore. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, vlerësoi se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë iluzion se pas bllokimit të reformës zgjedhore qëndron së pari vet Berisha. Sipas tij, ai është më i painteresuari për zgjedhjet e ndershme e të lira. "PS-ja është shndërruar praktikisht në një viktimë dhe shtojcë të Berishës për sa i takon rolit të saj në reformën zgjedhore", vlerësoi Vasili. Ai shtoi se socialistët e konsiderojnë Berishën si manipuluesin e vjedhësin e votës së tyre, njëkohësisht dhe partnerin strategjik dhe të patjetërsueshëm në procesin e reformës zgjedhore. LSI-ja kujton se i ka kërkuar që në 2005-ën hapur dhe publikisht Berishës që të marrë rolin që i takon si Kryeministër dhe njëherazi drejtues i mazhorancës lidhur me reformën zgjedhore. "Ndonëse kemi qenë të bindur se zgjedhjet e lira janë një koncept i papranueshëm për Berishën", vijoi Vasili. Ai argumentoi se zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit 2007, si një dështim shumë i madh, i certifikuar si i tillë edhe nga OSBE-ODIHR qenë një provë e qartë për këtë dhe për rolin thellësisht negativ të Berishës në këtë shans të madh. Për zgjedhjet e lira dhe të ndershme LSI-ja nënvizon se nuk bën kompromis me askënd dhe ndahet plotësisht me ata që vjedhin votën e që sillen si diktatorë në partitë e tyre. "Është kjo arsyeja kryesore për të cilën LSI-ja po iu bie fort kambanave të alarmit në çdo skaj të Shqipërisë, në çdo tavolinë të partnerëve ndërkombëtarë dhe në çdo institucion kushtetues të vendit", këmbënguli Vasili. Ai u bëri thirrje drejtuesve të PD-së dhe PS-së që të lënë marrëveshjet e fshehta dhe bojkotimin e institucioneve kushtetuese dhe të kthehen në komisionin e reformës zgjedhore. "Për të mos rënduar edhe më shumë përgjegjësinë, tashmë shumë të madhe që ato mbajnë për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe për fatin e integrimit në NATO dhe BE", tha Vasili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›