E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja, Gjikondi: Qeveria, dështim me legalizimet

Ndryshimet e fundit në ligjin për legalizimet u kundërshtuan dje nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Sekretarja organizative, Brizida Gjikondi, konstatoi se mazhoranca në pushtet, në Komisionin Parlamentar të Prodhimtarisë ka ndryshuar rreth 70% të ligjit në mënyrë jodemokratike. Sipas saj janë fshirë të gjitha afatet që përcaktonin kompensimin e subjekteve private, të cilave iu ishin zënë pronat nga ndërtimet pa leje, duke i reduktuar ato në afate kaotike të paqarta, ndaj të pazbatueshme. Një element tjetër është mënjanimi krejtësisht i strukturave dhe kompetencave të pushtetit lokal dhe këto kompetenca i kalohen ALUIZNI-t. Duke shkelur kështu një sërë aktesh ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare për decentralizimin e pushteteve. "Të gjitha arkëtimet që do të mblidhen nga ky proces, sipas ndryshimeve të bëra, do të kalojnë në duart e ALUIZNI-t dhe jo të njësive vendore", u shpreh Gjikondi. LSI-ja tërheq vëmendjen se jo vetëm ky ligj i ndryshuar totalisht, por mbarë sistemi i pronave udhëhiqet nga politika kaotike dhe antikushtetuese nga mazhoranca në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›