Rama në fshatrat e Shkodrës: Demokratët e socialistët vuajnë njësoj
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje turin e tij "Dialog me Shqipërinë" në fshatrat e Shkodrës. Duke shkelur në këmbë përgjatë këtyre fshatrave, Gruemirë dhe Guxi e Re, Rama ka bashkëbiseduar për hallet dhe problemet e këtyre zonave, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit. Asnjë investim i kryer në këto zona, banorët shumica të papunë dhe me emra në listat tepër të gjatë të ushqimeve të papaguara. Këtë mungesë shprese dhe mungesë të ardhmeje ia kanë përcjellë banorët me dëshmitë e tyre kryetarit të socialistëve. Një prej qytetarëve vlerësoi se "tash 17 vjet edhe ne kemi dëshirë të gëzojmë diçka në jetë jo për të shkruar më emrat nëpër fletoret e dyqanxhinjve, në listat e ushqimeve të papaguara". Lideri i opozitës, Rama, u shpreh: "Hallet janë të mëdha, problemet flasin vetë. Siç e tha dhe miku ynë demokrat që pavarësisht se jemi demokratë a socialistë në 17 vjet vuajmë po njësoj me të njëjta probleme, madje me probleme që shkojnë duke u rënduar me çmime që shkojnë duke u rritur me shpresën që shkon duke mbaruar". Kreu i socialistëve konstatoi se zgjidhja është që demokratë dhe socialistë të thjeshtë, shqiptare dhe shqiptarë që jetojnë veçanërisht në fshat të bashkohen. "Atje ku për politikën e vjetër, për qeverinë e politikës së vjetër të 17 viteve nuk jetojnë njerëz, jetojnë qenie të gjalla që jetojnë si të munden, nuk i intereson kujt se a marrin a s‘marrin frymë dhe si mbajnë frymën gjallë, duhet të bashkohemi dhe t‘i japim fund kësaj historie", theksoi Rama. Ai u shpreh për shembjen e murit që na ndan socialistë dhe demokratë, pasi njësoj si për socialistët si për demokratët, dhe si për gjithë të tjerët kjo politikë e vjetër na çon të gjithëve në greminë. "T‘i japim jetë një politike të re, një politikë me njerëzit për njerëzit", konstatoi Rama. Sipas tij, nuk ka rrugë tjetër, kjo ndasi këto paragjykime ky mur që i ndan shqiptarët dhe i lë njësoj të varfër, pa shkolla, pa spitale, pa punë, kjo duhet të marrë fund në emër të fëmijëve tanë në emër të së ardhmes. "Janë paragjykime që i ndajnë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të punës majtas dhe djathtas dhe që ua lehtësojnë sundimin një grushti njerëzish që përfaqësojnë politikën e vjetër", insistoi Rama. Politikë që në këndvështrimin e tij, tallet me njerëzit, nuk do të dijë nëse ka apo s‘ka njerëz në fshat, e cila në mënyrë të veçantë ata që jetojnë në fshat i konsideron jashtë liste për çdo problem. Një qytetar i pranishëm në takim deklaroi se "çmimet po e shihni se ku kanë arritur. Vijnë këtu thonë do bëjmë ndriçimin, asfaltimin do t‘ju sjellim ujin e pijshëm, por në 17 vite asgjë s‘kanë bërë. 17 vjet kam që i kam dhënë votën më në fund asnjë gjë nuk rregulloi Sali Berisha në këtë fshat".