Beqaj, me Anorthosis deri në vitin 2011
Portieri i kombëtares shqiptare, Arian Beqaj, do ta vazhdojë karrierën me ekipin aktual, Anorthosis Famagusta FC deri në vitin 2011. "Gardiani" ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e klubit qipriot dhe pritet të nënshkruajë së shpejti. "Kemi rënë dakord me Anorthosis të vazhdojmë kontratën edhe për tri vitet e ardhshme", ka konfirmuar Beqaj për të përditshmen kosovare "Express". Ai tregon edhe arsyet që e kanë bindur për të qëndruar tek Anorthosis: "Më ka bindur projekti i klubit, Anorthosis është ekip i organizuar, është protagonist në ligën qipriote. Gjithsesi, për të më bindur që të pranoja ofertën shërbyen edhe kushtet më të mira të kontratës. Edhe ky ishte një faktor i rëndësishëm". Beqaj është duke kaluar një nga periudhat më të mira në karrierën si profesionist. Anorthosisi kryeson kampionatin dhe sipas të gjitha gjasave do të shpallet kampionia e Qipros. "Javën e kaluar e kemi mposhtur kampionen në fuqi të Qipros, Apoel në shtëpinë e tyre. Tashmë jemi shkëputur 9 pikë, por na presin ndeshjet e ‘play-off‘. Është e vërtetë se kemi më shumë shanse për të fituar titullin, por mendoj se është ende herët për të folur", vazhdoi kosovari, që është një nga pikat më të forta të përfaqësueses kuqezi. Së fundmi, në adresë të portierit ishte interesuar një skuadër qipriote dhe një ekip grek, por Beqaj ka vendosur se cila do të jetë e ardhmja e tij.