KS Besa, skuadra më e mirë shqiptare për vitin 2007
Besa është skuadra më e mirë shqiptare për vitin kalendarik 2007. Përfundimi ka ardhur nga studimi i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit për Historinë dhe Statistikat (IFFHS), që ka publikuar "top-listën" e 350 skuadrave më të spikatura për periudhën 1 janar 2007 - 31 dhjetor 2007. Kavajasit ishin ekipi i vetëm nga Kategoria Superiore që ka arritur të përfshihet në këtë listë, duke u renditur në vendin e 334-t. Përllogaritja është bërë në bazë të rezultateve të arritura në fazën e dytë të kampionatit 2006-‘07 (ku ka përfunduar në vend të gjashtë), pjesën e parë të kampionatit 2007-‘08 (momentalisht është në vend të 6), por edhe me paraqitjet në Kupën e Shqipërisë (trofe të cilin e ka fituar vjet për herë të parë në historinë e klubit) dhe në fazën eliminatore të Kupës UEFA. Me 63 pikët e grumbulluara në vitin kalendarik 2007, verdhezinjtë e shohin veten përkrah sllovenëve të NK Koper (që renditen në vendin e 328), por edhe kolumbianëve të Atletiko Huila Nevia, paraguaianëve të Sol de Amerika Asunsion, armenëve të Banats Jerevan, austriakëve të SV Matersburg dhe australianëve të Adelaide Junajted FC. Edhe pse kjo është një arritje më vete për kavajasit, ata kanë humbur disa pozicione në krahasim me "top-listën" e vitit 2006, ku gjendeshin të 330-ët. Ajo që i ka rritur dukshëm kuotat e Besës ka qenë triumfi në Kupën e Shqipërisë, ku kanë fituar 3-2 në finalen e luajtur në "Qemal Stafa" përballë Teutës. Prej këtij kompeticioni, ata kanë fituar të drejtën për të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Kupës UEFA, ku shorti i ka vendosur përballë serbëve të FK Bezhanijas. Skuadra, e drejtuar në atë kohë nga rumuni Dumitresku ka barazuar me shifrat 2-2 në takimin e parë në Beograd dhe 0-0 në ndeshjen e kthimit në Kavajë dhe ka kaluar turin falë dy rrjetave në fushë kundërshtare. Në turin e dytë, ata janë përballur me bullgarët e Liteks Lovesh, ku janë eliminuar pas humbjeve 3-0 në të dyja sfidat. Gjithsesi, paraqitja e Besës në Evropë është vlerësuar maksimalisht. Ata ktheheshin në kupat e Evropës pas 35 vjetësh dhe ishin skuadra e vetme shqiptare që kaloi turin e parë në edicionin 2007-‘08.
Vendi i parë në këtë renditje ka qenë për spanjollët e Seviljas (me 306 pikë të grumbulluara), që pasi ka fituar për dy edicione radhazi Kupën UEFA, gjatë sezonit 2007-‘08 është paraqitur me sukses edhe në Ligën e Kampioneve. Pas klubit nga Primera Division janë renditur Mançester Junajted (2), Milan (3), Çelsi (4), ndërkohë që 10 vendet e para mbyllen nga meksikanët e Amerika Kuidad de Meksiko. Nga skuadrat ku militojnë futbollistë shqiptarë më lartë është pozicionuar Marseja e Lorik Canës (39) dhe Lacio e Igli Tares (75). Vend në klasifikim ka pasur edhe për Palermon (145) ku luan Sajmir Ujkani dhe Hanoverin e Altin Lalës (202).