Pashko Gjeçi: "Si e bëra Danten të flasë shqip"
Nuk do të shpreheshim fare gabim po të thoshim se janë të pakët ata intelektualë shqiptarë apo dhe njerëz të letrave, të cilët e dinë se përkthyesi i famshëm i "Komedisë Hyjnore", që përbën një prej kryeveprave të letërsisë botërore, apo më saktë njeriu i cili e bëri Dante Aligerin dhe Homerin të "flisnin shqip", quhet Pashko Gjeçi. Gjithashtu nuk do ta tepronim aspak po të shtonim përsëri se janë të pakët ata shqiptarë që e dinë se ai njeri, jeton ende, sa vjeç është dhe se ku jeton. Madje për t‘u dhënë fund këtyre hamendjeve dhe supozimeve, për t‘i qëndruar asaj çka thamë më lart, flet dhe ky fakt: Profesorin e famshëm të lauruar për Filozofi e Letërsi në Universitetin e Romës, ish-shokun e bankës të Qemal Stafës, nxënësin e Padër Gjergj Fishtës, kolegun dhe mikun e ngushtë të Eqerem Çabejt, Henerik Lacajt, Mark Demës dhe Fejzi Dikës, nuk e njihnin as banorët e shkallës së tij, ndonëse prej më shumë se 25 vjetësh ai jeton së bashku me zonjën e tij, në atë apartament fare të vogël, në katin e parë te "Shallvaret". Të habitur nga portreti dhe fiziku që na u shfaq në aparencën e njeriut që na uroi mirëseardhjen, as nuk e kishim menduar kurrë, se ai për të cilin interesoheshim dhe kishim përfytyrime nga më të çuditshmet, ishte vetë Pashko Gjeçi që po takohej me ne! Pas prezantimit dhe duke i treguar qëllimin e vizitës sonë, Pashko Gjeçi na u përgjigj jo pa humor: "Të jeni të sigurtë se do t‘ju dëftoj çfarë më kujtohet". Ndonëse tashmë në moshën 90-vjeçare dhe tepër i lodhur nga peripecitë e streset e një jete plotë dallgë e shtrëngata, kolosi i letrave shqipe me fizik shtatshkurtër e me portret prej fisniku, i quajtur Pashko Gjeçi, hera-herës na befason me memorien e tij brilante dhe humorin e hollë të shkodranit tepër intelekt, që përveç të tjerave, plot shtatëdhjetë e kusur vjet më parë është shkolluar edhe në Kolegjin e famshëm të Jezuitëve në qytetin e Shkodrës.
Në bankë me Qemal Stafën
Pashko Gjeçi lindi në vitin 1918 në qytetin e Shkodrës dhe familja e tij në atë kohë banonte tek "Arra e madhe". Babai i Pashkos quhej Gaspër dhe në atë kohë ai kishte hapur një dyqan të vogël fare pranë shtëpisë së tij, me të cilin siguronte jetesën. Pas vdekjes së të atit dhe një motre të vogël të quajtur Nikolina, Pashko mbeti vetëm me nënën e tij dhe motrën tjetër Margaritën. Pasi mbaroi shkollën fillore me rezultate shumë të mira, ai u regjistrua në Kolegjin e Jezuitëve, të cilin nuk arriti ta mbaronte, pasi në atë kohë u mbyllën shkollat fetare. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi kujton: "Pas mbylljes së Kolegjit të Jezuitëve, të gjithë ne vazhduam mësimet në gjimnazin klasik të shtetit, po në qytetin tonë të Shkodrës. Në atë kohë unë kisha shok të ngushtë Qemal Stafën, me të cilin rrinim në një bankë. Po kështu, përveç Qemalit, në klasën tonë kishim dhe Nikolla Shurbanin, Xhemal Brojën, Kol Ashtën, Arshi Pipën dhe Lazër Radin, me të cilët gjithashtu kam pasur një shoqëri të madhe. Qemal Stafa dhe Arshi Pipa dallonin nga të gjithë ne shokët e klasës për zgjuarsi dhe inteligjencë, e Qemali ka qenë nxënësi më i mirë që kam njohur në jetën time. Ndërsa unë shkëlqeja kryesisht në lëndën e letërsisë, pasi që i vogël isha i dhënë pas saj. Po kështu më kujtohet se isha shumë i dobët në vizatim, të cilat m‘i bënin të tjerët dhe unë i dorëzoja ato si të miat. Në atë kohë, mësuesi që kishim më për zemër unë dhe Qemali, ishte Pashko Geci, i cili na jepte lëndën e greqishtes së vjetër dhe latinishten. Në fillim ai më kishte në patronazh vetëm mua për të më mësuar greqishten e vjetër, por më vonë, duke më pasur mua shok të ngushtë, dolën vullnetarë edhe Qemali me Nikolla Shurbanin, e të tre arritëm ta mësonim atë gjuhë. Profesor Pashko Geci, m‘i blinte librat dhe për të mos më ofenduar se nuk kisha lekë t‘ia paguaja, m‘i fuste nën bankë. Pak kohë para mbarimit të liceut, Qemali u largua nga klasa jonë se familja e tij u transferua në Tiranë", kujton ai vitet e gjimnazit klasik të Shkodrës, ku mësonte së bashku me Qemal Stafën, Arshi Pipën, Nikolla Shurbanin e të tjerë shokë, që më pas bënë emër të madh në fusha të ndryshme të jetës.
Student i Filozofisë në Romë
Pas mbarimit të gjimnazit klasik të Shkodrës me rezultate shumë të mira, në vitin 1938, nxënësi i vobektë Pashko Gjeçi fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur studimet e larta në Itali. Lidhur me këtë ai kujton: "E drejta e studimit për në Itali m‘u dha vetëm në sajë të rezultateve që kisha arritur në gjimnazin e shtetit dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe më akordoi vetëm një bursë shumë të vogël, që mezi mund t‘i përballoje nevojat e jetesës. Por unë nuk kisha rrugë tjetër dhe isha mjaft i kënaqur që do të shkoja të studioja në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Romës. Këtë kënaqësi ma shtonte më tepër fakti se bashkë me mua ishin edhe Kol Ashta, Lazër Radi e Luigj Ljarja. Gjatë asaj periudhe që vazhdoja studimet në Romë, unë fillova përsëri të përktheja nga latinishtja apo të shkruaja ndonjë poezi të vogël. Poezinë dhe përkthimet i kisha pasion që nga bankat e Liceut të Shkodrës dhe ato që shkruaja i botoja në revistën "Cirka" apo "Shkëndia", të cilat asokohe i kishin faqet e tyre të hapura edhe për talentet e reja. Më kujtohet se asokohe unë pata shkruar dhe një artikull për Padër Gjergj Fishtën lidhur me "Lahutën e Malsisë", të cilën ma botuan te "Hylli i Dritës". Pasi doli revista, unë së bashku me disa shokë të tjerë shkuam dhe ia çuam Padër Gjergjit në studion e tij. Pasi e pa artikullin, Padër Gjergji pyeti: "Kush është ky që paska shkruar për mua?" Ndërsa unë qëndroja pa folur dhe i turpshëm në fund të dhomës e shokët i treguan se isha unë, ai tha: "Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?" Kështu dëshira dhe pasioni që kisha për poezinë e përkthimet, nuk m‘u shua as në Itali dhe ato që shkruaja i nisja për t‘i botuar në Shqipëri. Fakultetin e Filozofisë dhe Letërsisë e përfundova në vitin 1943 me rezultate të larta dhe mora gradën Doktor i Shkencave. Nisur nga ato rezultate më ofruan që të qëndroja si asistent profesor pranë atij fakulteti, por unë refuzova dhe u ktheva në Shqipëri. Dëshirën për t‘u kthyer në Shqipëri ma nxiti akoma dhe më shumë ish-ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, i cili në atë kohë kishte ardhur në Itali për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomave tona. Koliqi më tha: "Kthehu në Shqipëri të japësh kontributin tënd", kujton Pashko Gjeçi lidhur me diplomimin e tij në Fakultetin e Filozofisë në Romë, ku i ofruan të qëndronte si asistent-profesor.
Kthimi në Shqipëri dhe burgosja
Pas diplomimit në Itali, në vitin 1943, Pashko Gjeçi u kthye në Shqipëri dhe Ministria e Arsimit e asaj kohe e emëroi si profesor të letërsisë dhe latinishtes në gjimnazin e Shkodrës, ku ai kishte qenë vetë nxënës pak vite më parë. Edhe gjatë kësaj periudhe e deri në mbarimin e luftës, përveç mësimdhënies në atë gjimnaz, Pashko u mor përsëri me përkthime, të cilat i sillte dhe i botonte në Tiranë në revistën "Shkëndia". Në fundin e vitit 1944, pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ai vazhdoi të jepte mësim pranë gjimnazit deri nga mesi i vitit 1945 dhe më pas u transferua në qytetin e Durrësit, ku do të fillonte dhe kalvari i vuajtjeve të tij. Lidhur me këtë, Pashko Gjeçi dëshmon: "Gjatë asaj kohe që punoja si mësues i letërsisë në qytetin e Durrësit, unë kisha miqësi të ngushtë vetëm me familjen e Jusuf Vrionit, të cilët si shumë familje të tjera nga Tirana i kishin internuar atje. Në atë kohë, përveç mësimdhënies, isha zgjedhur dhe kryeja edhe funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit. Nuk e di se si ndodhi, por mbaj mend se atje më arrestuan, gjoja si i implikuar në një organizatë, e cila kishte për qëllim të përmbyste me dhunë pushtetin komunist në Shqipëri. Kjo gjë ishte e gjitha e sajuar nga Sigurimi i Shtetit, ashtu si dhe ajo organizatë për të cilën akuzohesha se bëja pjesë, pasi unë nuk isha marrë asnjëherë me politikë. Në atë kohë, përpara meje arrestuan edhe Arshi Pipën po me të njëjtën akuzë siç më kishin arrestuar mua. Gjyqi më dënoi me pesë vjet burg, të cilat i bëra kryesisht në Durrës dhe në tharjen e kënetës së Maliqit, ku na dërgonin muajt e verës. Puna atje ishte tepër e rëndë dhe sfilitëse, por unë munda ta përballoja atë dhe gjithë burgun, pasi isha i ri", dëshmon Pashko Gjeçi, lidhur me arrestimin e tij dhe dënimin me pesë vjet burg, akuzë e cila ishte krejtësisht e sajuar nga Sigurimi i Shtetit.
Përkthimi i Dantes e Homerit
Pas lirimit nga burgu, Pashko Gjeçi u kthye në qytetin e tij të lindjes, në Shkodër, ku e priste nëna dhe motra. Lidhur me këtë periudhë kohe ai dëshmon: "Si ish i burgosur politik e kisha të pamundur që të filloja punë si mësues dhe në atë kohë mezi u rregullova në një punë krahu. Pas dy-tre vjetëve në atë punë, më lejuan që të largohesha nga vendlindja dhe më sollën në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku u emërova si mësues në shkollën shtatëvjeçare. Në atë shkollë ku unë dhashë mësim për tre vjet me radhë, ishim gjithsej katër mësues dhe aty vendosa që të përktheja poetin e famshëm italian Dante Aligerin, poezitë e të cilit unë kisha filluar që t‘i përktheja që kur isha 17 vjeç në bankat e Liceut të Shkodrës. Që nga ajo kohë, përveç Dantes, unë kisha dobësi edhe për Safon, poezitë e të cilëve i mbaja gjithnjë me vete. Përkthimin e "Komedisë Hyjnore" të Dantes, unë e mora përsipër për arsye se ai ishte përkthyer edhe në Bashkimin Sovjetik, e përkthyesit të saj i ishte dhënë çmimi "Stalin". Për përkthimin e saj unë shfrytëzoja orët e para të mëngjesit para se të fillonte mësimi dhe çdo ditë hidhja në letër nga katër vargje në gjuhën shqipe. Disa prej këtyre vargjeve, në mos gaboj ato të "Ferrit", unë ia tregova mikut tim të ngushtë, Llazar Siliqit, i cili i botoi menjëherë në revistën "Nëntori". Ndonëse ato u pëlqyen mjaft dhe u vlerësuan nga shumë njerëz dashamirë, kritika e asaj kohe heshti, sepse nuk mund të shkruante për një ish të burgosur politik. Meqenëse i kisha vënë detyrë vetes që ta përktheja me çdo kusht Danten, vazhdoja të punoja çdo ditë dhe kishte raste që për një varg më duhej tre katër ditë punë. Pasi kisha përkthyer mijëra vargje në ato tre vjet, katër vargjet e fundit i kam përkthyer një ditë të shtunë, kur tre kolegët e mi kishin shkuar në Tiranë. Ato i mbarova aty rreth orës katër të mëngjesit dhe kur i mbarova, m‘u duk se u hap dera e prej aty doli Dantja e më la vetëm", kujton Pashko Gjeçi atë çast kur mbaroi së shkruari në shqip një nga kryeveprat e letërsisë botërore, "Komedinë Hyjnore" të Dante Aligerit.
Vlerësimi nga Enver Hoxha
Pasi e mbaroi së përkthyeri poetin e famshëm italian, Pashko Gjeçi u konsultua me mikun e tij të ngushtë Llazar Siliqin, i cili i sugjeroi që t‘i bënte një letër Enver Hoxhës, ku t‘i parashtronte të gjitha problemet që kishte. Për këtë Pashko Gjeçi kujton: "Në atë kohë i shkrova një letër Enver Hoxhës, ku i bëja të ditur se kisha në dorë përkthimin e "Komedisë Hyjnore" të Dante Aligerit dhe se për përfundimin e saj kisha nevojë që të studioja në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe të konsultohesha me kolegë e studiues, për t‘u marrë mendimet. Pas asaj letre Enver Hoxha dha urdhër që unë të transferohesha në Tiranë, ku të më bëhej dhe pasaportizimi. Kur erdha në Tiranë, në fillim qëndrova te familja e djalit të xhaxhait, Ernest Gjeçit dhe më pas mora një dyqan të vogël me qira aty prapa Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilin e adaptova për banesë. Në atë kohë me ndihmën e Llazar Siliqit, Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" e botoi të plotë përkthimin tim "Komedia Hyjnore". Pas asaj pata përgëzime të shumta nga miq e shokë, siç ishin profesori im Pashko Geci, Mark Dema, Henerik Lacaj dhe sidomos nga profesor Eqerem Çabej, i cili më vinte shpesh në shtëpi", kujton Pashko Gjeçi, lidhur me peripecitë që kaloi për të botuar përkthimin e Dantes, që u bë i mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Pasi "Komedia Hyjnore" pa dritën e botimit në gjuhën shqipe, Pashkon e sistemuan me punë si profesor në Universitetin e Tiranës, ku ai dha lëndën e latinishtes deri sa ajo u hoq nga programi mësimor në fillimin e viteve ‘70-të. Në atë kohë Pashkon e dërguan si redaktor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, ku ai dhe doli në pension në vitin 1977. Nga ajo kohë ai kujton me respekt miqësinë me kolegun Llazar Siliqi, por dhe atë me nxënësin e tij Pëllumb Xhufi, për të cilin shprehet: "Ka kenë një nga nxënësit më të mirë dhe më të sjellshëm që kam pasur". Për kontributin që Pashko Gjeçi kishte dhënë në përkthimin në gjuhën shqipe të dy prej kryeveprave të letërsisë botërore, në vitin 1979, me porosi "nga lart" u urdhërua Komiteti Ekzekutiv, që t‘i jepte atij një apartament banimi. Por gabimisht autorizimi i shtëpisë iu dërgua Pashko Gecit, i cili hyri në shtëpinë e re. Kur shkuan për t‘i kërkuar falje Pashkos për gabimin e bërë, ai iu tha: "Le ta gëzojë Pashko Geci atë shtëpi dhe nuk bën me ia marrë, sepse ai ka kenë profesori im ma i mirë". Që nga ajo kohë, kur Pashko Gjeçi refuzoi të merrte shtëpinë, që gabimisht ia kishin dhënë ish-profesorit të tij, ai banon aty në atë apartament të vogël, (tip bodrumi) te "Shallvaret" dhe pret që të shohin dritën e botimit disa nga përkthimet e tij, si "Fausti" i Gëtes, "Hamleti" i Shekspirit, "Andromaka" dhe "Atalia" të Rasinit, të cilat ai nuk i kujton se kujt ia ka dhënë për botim.