E Diel, 1 Nëntor 2026

Të shthururve

Franca nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj De Sad, dhe pse kanë kaluar gati shekuj nga vdekja e tij. Burri që ndante jetën më shumë pas hekurave dhe kur ishte i lirë endej salloneve të shtrenjta parisiene, besoi deri në fund se vetëm të qenit i çliruar dhe realizimi i dëshirave më të fshehta brenda teje mund të bënin një njeri. Një ateist i betuar, një njeri që nuk pëlqente dogmat që sollën revolucionet, ndryshe nga çfarë besoi kur qe pjesë e tyre, De Sad bëri jetën e një të vetmuari, duke lënë pas një nga teoritë që u bë baza e psikoanalizës së mëvonshme. Frojd do të kishte dashur ta njihte këtë burrë, personazhet e të cilit i kaloi aq shumë nëpër duar ndërsa krijonte teorinë e tij.

Kaq vite më pas filozofia e tij është kundërshtuar nga kritikë të ndryshëm francezë, ndërsa në gazetat e tjera të Evropës shihje artikuj pozitivë për të. Përse francezët kërkojnë të fshijnë nga memoria e tyre një autor skandaloz, që kërkonte të analizonte gjërat edhe nëpërmjet seksit? "Cilido qoftë interesi i francezëve dhe një përpjekje ku disa ide të dialogëve vishen edhe me vlerësime sociologjike, nuk ka se si të mos prishë sadopak harmoninë artistike të kësaj vepre", shkruan Gilbert Lely për romanin "Filozofia e salloneve". Ky libër, nga më të njohurit e Sadit, do të vijë së shpejti në shqip nën përkthimin e Hysen Sinanit dhe shtëpisë botuese "Zenit".

Lely shkruan se nga të gjitha veprat klandestine të markezit Dë Sad, kjo vepër është shumë më pak mizore, me përjashtim të faqeve të fundit, ku përshkruhet tortura e zonjës Mistival dhe ku emocioni erotik i provuar nga lexuesi nuk kthehet kurrë në frikë, ashtu si në pamjet e tmerrshme të Justinës së re dhe të Zhulietës. De Sad ka ardhur në shqip vetëm nëpërmjet përkthimeve të rastësishme dhe kjo është e para vepër e plotë e tij.

Më poshtë Sinani tregon diçka më tepër për këtë autor dhe këtë përkthim…

Keni përkthyer një nga veprat më të njohura të markezit De Sad, "Filozofia e salloneve". Ǒmund të na thoni për këtë autor?

Markezi De Sad është konsideruar gjithnjë nga kritika si një nga autorët më skandalozë të të gjitha kohërave, që nga fillimi i shekullit të 18 e deri më sot. Kushdo që sot përmend De Sadin, nënkupton dhunën në marrëdhëniet seksuale, dëshirën për t‘i shkaktuar tjetrit vuajtje etj. Ende sot nuk dihet se për sa kohë kritika do vijojë ta quajë këtë autor një skandaloz që përpiqet të përmbysë koncepte morale, fetare etj. Ky është një autor në kuptimin e plotë të fjalës revolucionar, i cili që nga idetë e iluminizmit francez kërkon të shkojë më tej, duke e zhveshur njeriun në thelbin e tij. E gjithë vepra e tij zbulon anët e errëta dhe të fshehta të secilit prej nesh. Duhet theksuar fakti se teoritë e De Sad kanë qenë si motoja kryesore e shumë psikoanalistëve të mëvonshëm, mes të cilëve edhe Frojdi, i cili i ka kthyer këto zbërthime karakteresh të De Sadit në baza shkencore.

Ndoshta se ky është filozofi i parë që i trajton problemet e dëshirave dhe idetë e fshehta të njeriut, i cili i mban ato, i ruan gjatë, duke mos u paraqitur në marrëdhënie shoqërore dhe për këtë arsye është gjithnjë enigmatik dhe i fshehtë.

Si vijnë këto teori të De Sad te "Filozofia e salloneve"?

E gjithë vepra është e shkruar në formën e një drame. Janë disa personazhe që mblidhen në sallonin e një zonje të re dhe të pasur dhe aty bisedojnë gjatë për dëshirat e tyre. Subjekti është tepër i qartë. E kam jetuar gjatë këtë libër, pasi e kam përkthyer me ngadalë. Në thelb subjekti është i qartë, njerëz të quajtur për kohën "të shthurur", pasi në prirjet e tyre seksuale kërkojnë të tregojnë thelbin e personalitetit të tyre, sinqeritetin në skajet më absolute, të gjitha dëshirat e tyre të fshehta që kanë. Në këtë marrëdhënie të krijuar nga këta njerëz, të cilësuar në atë kohë si "imoralë", vjen e shfaqet një vajze e re e bukur 15-vjeçare. Janë interesante leksionet që ata nisin t‘i japin kësaj vajze për lirinë. Lirinë e personalitetit dhe atë shoqërore. Nga këto mësime prej intelektualësh të regjur, ajo merr thelbin e jetës. Krijohen aty skena herë dramatike, herë me paragjykime morale, ekstravagante, nëse nuk e kuptojmë kontekstin e De Sad.

Ky autor ka pasur një jetë të trazuar. Ka qenë i burgosur, tepër i kritikuar. Madje edhe sot në enciklopeditë franceze mund të gjesh vetëm disa rreshta për të. Edhe sot francezët zyrtarë mundohen të mos e marrin në konsideratë si autor.

Përse kritika franceze nuk e përkrah filozofinë e tij?

De Sad ka qenë një autor që u kundërvihej ideologjizmave. Janë të njohura konceptet e tij si antifetar dhe ateizmi i Sadit është më reaksionar se kudo.

Dhe pse Volteri njihet para tij si ateist dhe i përkrahur nga intelektualët e vendit të tij, me De Sad ndodhi ndryshe. Në librat e shkruar prej tij ai e shpartallon konceptin e Zotit, pasi sipas tij po të kishte Zot, ai nuk do të inkurajonte hipokrizinë dhe ta detyronte njeriun të bëhej i panatyrshëm. Ai besonte se natyra e ka lënë njeriun e lirë në zgjedhjet e tij, duke e lënë po të lirë në çdo zgjedhje ose marrëdhënie. Dhe kur një kafshë ha një kafshë tjetër, do të thotë se e ka lejuar natyra. Në këtë vazhdë ai nxjerr se jo vetëm është i dëmshëm koncepti për një devijim, por dhe vetë feja është reaksionare, sidomos në zhvillimin demokratik dhe liberal të njerëzve.

Vetë Frojdi është mbështetur mbi teorinë e tij. Ai besonte në zgjedhjet që Sadi u jepte shumë gjendjeve njerëzore, dhe e kanë ndihmuar në formulimin e kërkimeve të tij mbi mendjen njerëzore. Thelbi i krijimtarisë së Sadit ishte "nëse dëshiron diçka realizoje". Që ti të jesh sa më i çliruar nga komplekset e tua, duhet ta realizosh. Në veprat e tij ka skena horrori që provokojnë dhembje. Por nëpërmjet dhunës ai tregonte gjithë filozofinë e jetës.

Sad besonte se njeriu, në vend që të ndiqte zhvillimin e natyrshëm të natyrës, e deformoi atë me ndërhyrjet e veta fetare, sociale. Dhe tani njeriu është i ngurtësuar brenda këtij morali që janë hipokrizia, pandershmëria etj. Dhe e gjitha kjo pasi ai nuk ka ditur ta kuptojë veten, apo ta çlirojë atë nga mendimet.

Nëse individi do të kuptonte veten dhe duke e çliruar atë, pasojat do të ishin pozitive dhe për shoqërinë.

De Sad shihet si një autor pornografik dhe unë nuk di ndonjë autor tjetër pornografik që të jetë kaq agresiv sa Sadi. Kjo, pasi qëllimi i letërsisë së tij nuk ishte thjesht pornografia, por rrëfimi i jetës nëpërmjet saj. Sad është një nga autorët që besoi se revolucioni francez mund të kishte sjellë shumë ndryshime. Ai priste lulëzimin e një shoqërie të re, e cila do ta ndërtonte boshtin e saj pa paragjykime, pa mashtrime, dhunë apo vrasje.

De Sadi është një nga autorët që është ngritur kundër dënimit me vdekje. Por kritika vijon të jetë indiferente ndaj tij, kuptohet më shumë në Francë, duke mos u marrë drejtpërdrejt me filozofinë që ai përcjell.

Markez De Sad

Epshorë të të gjitha moshave dhe sekseve, vetëm juve jua kam kushtuar këtë vepër: ushqehuni me parimet e saj, sepse ato i ndihmojnë pasionet tuaja dhe se këto pasione, të cilat moralistët e ftohtë dhe pa ngjyrë jua largojnë, nuk janë gjë tjetër veçse mjetet që natyra përdor për ta bërë njeriun që të arrijë tek imazhi që ajo ka për të. Mos dëgjoni tjetër veç këtyre pasioneve të këndshme, organi i tyre është i vetmi që do t‘ju shpjerë te lumturia. Gra qejflesha, e pangopura Sent-Anzhë qoftë modeli juaj! Ashtu si ajo i përbuzni të gjitha ato gjëra që shkojnë kundër ligjeve hyjnore të kënaqësisë që asaj nuk iu ndanë kurrë në jetë! Vajza të reja, të mbyllura keq nëpër vende absurde dhe të rrezikshme, të sajuara nga një fantazi dhe besim fetar i pështirë, imitoni trimëreshën Eugjeni! I shkatërroni, i shkelni me këmbë, po aq shpejt sa ajo, të gjitha parimet qesharake që ju kanë ngulitur prindërit budallenj!

Ndërsa ju të dashur shthurarakë, ju që qysh prej rinisë suaj të hershme nuk kishit për fre veçse dëshirat tuaja dhe për ligje veçse trillet, jua shërbeftë si shembull Dolmenseja cinik! Bindjuni shkollës së tij, vetëm duke ia sakrifikuar gjithçka epshit! Mundet që individi i njohur me emrin njeri dhe i hedhur kundër dëshirës së tij mbi këtë univers të trishtuar, mundet pra të mbjellë disa trëndafila mbi gjembat e jetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›