E Diel, 1 Nëntor 2026

"Onufri", në duart e Frisinghell, Campitellit dhe Fossatit

Christine Frisinghelli, drejtoreshë e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Grac të Austrisë, Maria Campitelli, një nga kuratoret më të njohura indipendente italiane, Matteo Fossati, kurator i muzeut "Wollsonia", një nga muzetë e rinj privatë në Genova, pjesë e investimit të multimiliarderit amerikan, Mitchel Wollsonia, janë tre anëtarët e jurisë së konkursit "Onufri" që kanë mbërritur dje në Tiranë. Tre anëtarëve të huaj të jurisë do t‘i shtohen dhe dy emra të paprezantuar publikisht deri dje që janë zgjedhur nga Ministria e Kulturës. Pesë anëtarët e jurisë do të japin gjykimin e tyre brenda një kohe relativisht të shkurtër mbi një nga evenimentet më të njohura të artit pamor në vend. Dhe pse në thelb juria, pa njohur pjesën e emrave shqiptarë janë emra të njohur të artit bashkëkohor, si Maria Campitelli e famshme në vendin fqinj për krijimin e grupit "78", një grup që solli revolucion në konceptet e artit në ato vite, koha që ata kanë në dispozicion është e pamjaftueshme për të dhënë verdiktin për një event të tillë.

Për herë të parë mes ministrisë dhe organizatorëve të këtij eventi duket se ka pasur konflikte për emrat që do të jepnin gjykimin mbi punët. I nisur mes konfliktesh mes drejtorit të galerisë dhe njëri prej kuratorëve të këtij aktiviteti, duket se "Onufri" deri në fund shkoi mes peripecish.

Por për artistët pjesëmarrës në këtë aktivitet pjesa më e madhe janë emra të rinj në fushën e arteve pamore është tepër e rëndësishme gjykimi mbi punët. Pavarësisht debateve, ata janë pjesë e një gare, ku fituesit duhet të vendosen larg paragjykimeve që kanë ndjekur deri tani këtë aktivitet.

Motoja e këtij edicioni kuruar nga Rubens Shima dhe poeti Ervin Hatibi është "Bërë me tradhti". Në thelb ky është një koncept që provokon ndjeshmëri artistike, gjë e cila shihet dhe nga veprat e prezantuara. Tradhtia në këtë event nuk është marrë thjesht si një gjendje mes artistit dhe punës së tij krijuese, por si një hapësirë ku mund të aludosh dhe të sjellësh shqetësimet e tyre për situatën dhe vendin ku jeton.

Pjesa më e madhe e artistëve pjesëmarrës janë nga Shqipëria, ndërsa nuk mungojnë dhe artistë të huaj, kryesisht emra të rinj.

Interesante është prezenca e Luca Bolognesi apo Bruno Muzzolini, Achim Maximilian Naumann d`Alnoncourt, po kështu e artistëve shqiptarë si: Gent Gjokola, Gent Gjikopulli, Lad Myrtezai, Najada Hamza, Alban Hajdinaj, Adrian Isufi, Idlir Koka, Gent Korini etj. Ka mbetur vetëm një ditë nga ku këta artistë do të mësojnë se cili prej tyre është përfaqësuesi që ka sjellë më shumë produktivitet në këtë event. Dhe po të mendosh morinë e punëve, është disi e çuditshme se si ky gjykim do të bëhet vetëm në një ditë, kur ende nuk dihen se cilët do jenë anëtarët e tjerë të jurisë, dhe kur ende nuk ka nisur komunikimi i tyre me punët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›