Kosova, cfarë mendojnë serbët?
Çfarë mendohet në Serbi për Kosovën në prag të një vendimmarrjeje ndërkombëtare për statusin e saj? Kjo është tema e sotme në "Ecluxive" në "Top Channel". Zhvillimet e reja në rajon dhe në shkallë globale kanë arritur të krijojnë vetëdijen se Kosova është një çështje e humbur për Serbinë për shkak të terrorit dhe agresionit të ushtruar prej saj ndaj shqiptarëve; se politika agresive serbe ndaj Kosovës është më shumë një mashtrim për të mbuluar ato probleme që po përjeton Serbia në pragun e vendimit të fundmë për ripërcaktimin gjeopolitik të hartës së Ballkanit pa ish-Jugosllavinë; se në Beograd po rritet mendimi dhe lëvizja europiste dhe vetë politika po del prej romantizmit mitizues në artin e së mundshmes. Sonja Biserko, drejtuese në Komitetin e Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Serbi për shumë vjet, një nga zërat kryesorë kundërshtues të Sllobodan Millosheviçit, një zonjë që merr kërcënime shumë shpesh nga vetë serbët, pranoi të shprehet ekskluzivisht për ekranin e "Top Channel" përmes një interviste të gazetarit tonë atje, Indro Seferi. Ajo thotë fillimisht se Serbia nuk ka respektuar Rezolutën 1244, ka ndaluar hyrjen e serbëve në institucionet e Kosovës, ka ndaluar komunikimin e tyre me bashkësinë shqiptare, ka ndaluar identifikimin e tyre në kontekstin e Kosovës dhe me shoqërinë në të cilën jetojnë. Liderët serbë kanë punuar për ndarjen, kanë ngritur institucione paralele në veri të Kosovës. Më tej, duke lënë të nënkuptuar pozicionin e saj pro pavarësisë së Kosovës, znj. Biserko shprehet: Edhe qytetarët e Serbisë kanë konstatuar se Kosova është një gjë e humbur. Pas kësaj gruaje kurajoze është zgjedhur të intervistohet nga gazetari Idro Seferi, Ivan Vejvoda, drejtor i organizatës për besim demokratik për Ballkanin dhe një analist serioz serb, që shprehet se ndarja është një realitet në Kosovë. Pyetjes se "Çfarë mendoni se mund të bëjë Serbia në rast të shpalljes së pavarësisë nga shqiptarët e Kosovës?", Ivan Vejvoda i përgjigjet: Qeverisja në Serbi ka bërë të ditur se pavarësia e Kosovës nuk do të pranohet dhe në mënyrë ligjore do të përdoren kundër të gjitha mjetet diplomatike e politike. Nisma e Boris Tadiçit, që të kërkohet një mendim nga një gjykatë ndërkombëtare, është e tillë. Por nuk pres që askush të dërgojë të rinjtë e këtij vendi në një luftë të re. Serbia ka paguar një çmim të madh për ato që kanë ndodhur në vitet ‘90. Këto deklarime dhe shumë të tjera pikante nga ana e të intervistuarve, janë pjesë e "Ecxluziv"-it të sotëm në "Top Channel" me temë: "KOSOVA, çfarë mendojnë serbët?"