Mësuesit: Po edukojmë "brezin e kafeneve"
Të bësh mungesa "teke"
orën e parë të mësimit se
nuk të doli gjumi, të kesh
një shok që në takim me prindër
sjell një të panjohur në rolin e babait,
apo të vishesh hollë vetëm
për të qenë në modë, do të thotë
që përmbush disa nga kriteret për
të qenë gjimnazist. "Formula" e të
qenit i shpërqendruar, konfuz
dhe në krizë, edhe për të qenë në
qendër të vëmendjes këto vitet e
fundit, është bërë më e sofistikuar
për adoleshentët. Ndoshta është
kjo mënyrë e tyre e të sjellit dhe të
jetuarit që i bën mësuesit e gjimnazit
të mos plaken kurrë, të jetojnë
me brishtësinë e tyre, edhe
pse shpesh herë lodhen duke u
mbushur mendjen nxënësve se
1+1 bëjnë 2 dhe jo 3.
Jemi në gjimnazin "Andon
Zako Çajupi", në një orë mësimi.
Flitet për kujtesën. Në klasë
pothuajse të gjithë nxënësit janë
të veshur thjesht, me ato përpjekjet
për të qenë pak më ndryshe se
të tjerët, por me të njëjtën çehre
fytyre. "Kujtimi i parë që secili prej
nesh ruan në kujtesë gjatë
vogëlisë ka lidhje me mënyrën e
psikologjisë së fëmijës në të
ardhme dhe mënyrën sesi ai do të
sillet në situata të ngjashme",
sqaron mësuesja. Secili tregon
për kujtimin e tij të parë. Ndoshta
janë këto pyetje- përgjigje ndryshe
nga formulat dhe jetëshkrimi
i autorëve më të njohur, që ua
mban mendjen në orën e mësimit
dhe jo gjetkë. "Të gjithë brezat
janë njëlloj, adoleshentët janë
njëlloj. Por ky brez, ndryshe nga
të mëparshmit, ka zgjedhur që
pjesën më të madhe të kohës ta
kalojë në kafe", thotë mësuesja e
biologjisë, Inajete Kasimati. Sipas
saj, kafet, ndonjë pije më shumë
në raste festash, apo dembelizmi
i tyre për të organizuar më bukur
kohën e lirë, janë karakteristikë e
kësaj moshe. Po ashtu edhe numri
i konsumatorëve të duhanit mes
adoleshentëve nuk ka tregues
drejt uljes, por drejt ngjitjes. "Për
kafet s‘e kemi vetëm ne fajin, por
edhe numri i lartë i lokaleve që
janë përreth gjimnazeve dhe
ngarkesa që kemi. Orën e parë
kishim provim, të dytën përsëri
provim, orën e tretë përsëritje,
orën e katërt e kishim pushim,
shkuam në kafe", thotë Rezarti,
zv/president i senatit. Ai thotë se
nuk ndodh që në klasë të ketë
nxënës që vijnë të dehur, por në
raste festash, ashtu siç klasa ka
futbollistë, duhanxhinj, ka tek
tuk edhe pijedashës.
Problemet, dëshirat, rregullat
Ndërsa më parë në gjimnaze
ndodhnin rëndom sherre apo debate
deri në diskutime të nxehta,
të gjitha këto tashmë kanë mbetur
pas. Adoleshentët mes tyre
nuk kanë më të tilla shqetësime,
por vetëm një dëshirë për t‘ia
kaluar shokut, duke rënë më
shumë në sy. Atyre ju pëlqen të
vishen bukur, ju pëlqen të kenë
celularë, apo aksesorë të tjerë, që
kanë bashkëmoshatarët e tyre në
vendet e zhvilluara. Atyre ju
pëlqen të imitojnë idhujt, të shkojnë
në festa, të bëjnë aktivitete
jashtë shkolle, ndonjëherë ta
teprojnë pak edhe me lartësinë e
takave. "Nëse organizojmë një
aktivitet, njoftimet për prindërit
bëhen me letër. Shumica i lejojnë
fëmijët, por ka edhe familje patriarkale
që nuk japin leje", thotë një
maturant. Ai merret me të gjithë
rrjetin e kompjuterëve në shkollë.
Këtë vit dëshiron të konkurrojë
për informatikë.
Ai vjet ka qenë president i shkollës
dhe i di mirë problemet e
nxënësve, me prindërit, mësuesit.
"Tashmë nuk është më problem
veshja në shkollë. Shumica e
nxënësve respektojnë etikën në
shkollë, por mund të qëllojë që të
abuzohet edhe me lartësinë e
takave", thotë Olsi. Ai tregon se
nëse rastis që kjo nxënëse të
ngrihet në mësim dhe takat e saj
të kërcasin, atëherë nuk i mbetet
gjë tjetër veçse të dalë jashtë. Pak
më të lirshme janë gjimnazistet
në gjimnazet e qendrës, shkolla
që kanë pasur elementë të cilët
bënin modë. Në çdo shkollë të
mesme, problemet me veshjen
tashmë janë sistemuar, por si në
gjimnazin "Eqrem Çabej", si te
"Sami Frashëri", "Qemal Stafa",
"Petro Nini" apo "Besnik Sykja",
ka nga ata adoleshentë të cilët
klonojnë modën e televizioneve
dhe e çojnë edhe në shkollë. Zakonisht
këta janë nxënës dhe
nxënëse që adhurojnë Paris Hilton
apo Justin Timberlake, persona
të rëndësishëm që
mbushin faqet e revistave apo
mbretërit e TV dhe diskotekave.
Janë këto nxënëset të cilat kanë
importuar traditën e vajzave më
të adhuruara apo të djemve më
të kërkuar.
Lidhjet dashurore, aktivitet
Edhe mund të ndodhë të shikosh përqafe, për krahu, apo mes
një puthjeje të zjarrtë nxënësit e
shkollave. Kjo traditë është e
lashtë në gjimnaze, ashtu siç është
edhe shkrimi i formulave të shkencave
natyrore në banka, për t‘i
mbuluar me dorë e për t‘i kopjuar
më pas në orën e provimit. Por,
nëse të sheh ndonjë i rritur, e ke
punën pisk. "Nëse kjo ndodh në
vitin e parë ose të dytë, atëherë je
i diskriminuar, sepse në çdo orë
mësimi do të jesh në qendër të
vëmendjes së batutave të mësuesve,
dhe ata nuk të shohin me
sy të mirë. Por nëse ndodh kjo në
maturë, ata e lirojnë pak më
shumë. Por kjo s‘do të thotë që ke
shpëtuar nga shpotitë e tyre",
thotë Olsi. Kështu ka qenë gjithmonë
gjimnazi: probleme me
mungesat, një mësuese që të tregon
se kohën që i ke kushtuar vetullave
mund të zgjidhje një ekuacion
të gradës së dytë, apo dhe një
javë dënim me mosdalje nga shtëpia
sa herë ka takim me prindër.
Por edhe festa, aktivitete,
konkurse mes shkollash, tualet
me krem pudër, edhe pse lëkurën
mund ta kesh shumë të pastër,
vetëm për të qenë pjesë e rrymës
dhe për t‘u pranuar mes gjirit të
moshatarëve, të cilët nuk kanë
punë tjetër vetëm të ndahen në
grupe e të bëjnë rivalitet për të
treguar se kush është më i suksesshmi;
bankat ku ke bërë kopjet,
shokët që ke ndarë hallet e
mungesave, apo indiferentizmi
me të cilin të ka bashkuar mosha.
Bordurat e muhabetit
Edhe pse janë vetëm blloqe
çimentosh, pllaka apo
shkallë, janë shumë të ëmbla.
Bordurat e gjimnazeve,
para, në cep apo prapa shkollës,
janë nga vendet më
të preferuara kur bën ftohtë,
vapë, kur mëson para
provimit, kur sqaron të gjitha
bisedat me shokët, ku
takon miqtë që të vijnë nga
jashtë. Bordurat ku ulen
nxënësit e gjimnazeve janë
vendi më i preferuar jo vetëm
për të ngrënë bukë, por edhe
për të qeshur e për të komentuar
mësuesit, që vijnë
e ikin, nxënësit e klasave të
tjera. Bordurat, shkallët apo
cepat e mureve, janë edhe
ekonomike. Aty mund të
kalosh kohën pa shpenzime
edhe kur nuk të ka
mbetur më asnjë lek në
xhep. Bordurat janë ndonjëherë
edhe vendet ku mund
të rrish vetëm, ku mund të
fshihesh për të pirë shpejt e
shpejt një cigare, ku mund
të qash se ke marrë një notë
të keqe. Shkallët e ftohta të
shkollës, ku mblidhen çdo
ditë nxënësit janë edhe vendi
më i sigurt.
Alkooli dhe duhani
I pari që deklaroi se brezi i
adoleshentëve të sotëm është
pak më shumë pijetar apo
pijedashës se të tjerët, ishte
Instituti i Shëndetit Publik.
Sipas ISHP-së, një numër i
konsiderueshëm adoleshentësh
është i prirur të konsumojë
pije alkoolike më
shumë se moshatarët e tyre
para disa vitesh. E mira është
që nuk vijnë në gjendje të
dehur në klasë, apo nuk abuzojnë
me rregullat e shkollës.
Negativja këtu mbetet fakti
se gjimnazistët parapëlqejnë
të festojnë, të vishen, të
pijnë dhe të shpenzojnë me
pagesat e prindërve. Edhe
pse mundësitë që u ofrohen
atyre për punësim lënë për
të dëshiruar, vetëm një pjesë
e vogël e tyre kanë dëshirë
të punojnë në muajt e verës,
për të krijuar kursime personale.
Po ashtu, një pjesë prej
tyre kërkojnë të dobësohen,
por kilet e tepërta preferojnë
t‘i heqin me dieta dhe jo me
sport. Pjesa më e bukur e
ditës mbeten orët në kafe,
edhe pse mund të pijnë çaj,
qumësht, apo ndonjëherë
edhe ndonjë dopio.