E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, zhduket 59-vjeçari pa lënë gjurmë

Ka dalë nga banesa për të blerë kimikate një 59-vjeçar, por prej tre ditësh nuk ka asnjë adresë për vendndodhjen e tij. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e Selfo Hajdarit, të cilët pasi kanë pritur për orë dhe ditë kryefamiljarin, të alarmuar kanë denoncuar në Drejtorinë e Policisë Berat. Burime të komisariatit të policisë kanë nisur kërkimet dhe hetimin për vendndodhjen e tij. Ende nuk ka asnjë njoftim. Edhe pse janë kontaktuar të gjithë të afërmit dhe të njohurit, nuk është mësuar asnjë gjë për Hajdarin.

Selfo Hajdari, 59 vjeç, banor i fshatit Pashalli, rreth 16 km larg qytetit, baba i 5 fëmijëve, banonte në shtëpinë e tij vetëm me bashkëshorten, pasi djemtë ndodhen në Greqi si emigrantë, së bashku me familjet dhe ndërkohë vajza është e martuar.

Sipas familjarëve, veç kërkimit të ndihmës nga policia është dhënë dhe një version i mundshëm i largimit drejt shtetit fqinj, Greqisë, ku dhe ndodhen djemtë e tij. Por duke kaluar ditët dhe pas kontaktimit me telefon me djemtë, prej tyre nuk dihej asnjë gjë në lidhje me vendndodhjen e babait të tyre. Familjarët kanë treguar për më tej se ai kishte shprehur shpesh mallin e madh që kishte për djemtë dhe nipërit e mbesat që ndodheshin në Greqi.

Pyetjes se nëse familja Hajdari ka pasur ndonjë konflikt, 53-vjeçarja Merjeme Hajdari i është përgjigjur se nuk kishin asnjë problem dhe nuk i detyroheshin askujt. Tashmë familjarët presin me padurim të mësojnë se çka ndodhur me Selfon, i cili mungon prej tre ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›