E Diel, 1 Nëntor 2026

Nisin prishjet e objekteve në aksin e autostradës Durrës-Kukës

Në një afat prej vetëm disa ditësh do të nisë prishja e të gjitha objekteve që ndodhen në aksin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë, për t‘u hapur front pune ndërtuesve. Kështu është rënë dakord nga një takim i përbashkët i faktorëve vendorë të pushtetit dhe dikasterit qendror të linjës së zhvilluar këto ditë. Ky ka qenë objekti kryesor edhe i një mbledhjeje të Komisionit e Rregullimit të Territorit, të thirrur dje paradite në Këshillin e Qarkut të Kukësit, ku sipas kryetarit Shefqet Bruka është diskutuar pikërisht për shpronësimet dhe siç u shpreh ai, "të gjitha objektet që ndodhen në aks do të prishen brenda dy-tre ditëve". Ai ndërkohë shprehu vendosmërinë e vendorëve për të krijuar çdo lehtësi të mundshme që kompanitë ndërtuese të mund të kapin kohën e humbur. Një nga objektet e para që prishet këto ditë është edhe banesa e Nehat Shahu në Bardhoc, ngjitur me godinën e komunës. Shahu tha për gazetën "Shqip" se ishte i pakënaqur me vlerën e ofruar për banesën që shembet. "Më kanë ofruar 2.7 milionë lekë, në faturë më japin 25, por veç kësaj nuk kanë llogaritur truallin, pemët etj.", tha ai, duke nënvizuar faktin se me shembjen e banesës ai humbte të gjithë infrastrukturën modeste të shtëpisë dhe se me aq lekë nuk mund të bënte "asnjë prokopi të hajrit". Shahu dhe të tjerë mendojnë se objektet e tyre do duhen rivlerësuar, pasi disa prej zërave në terren nuk janë marrë parasysh. Përveç kësaj, në Bardhoc janë edhe një numër banesash, të cilat edhe pse ndodhen dhjetëra metra larg autostradës, janë aktualisht jashtë çdo sigurie edhe në aspektin teknik. Një vit më parë aty gjatë plasjes së minave për të hapur kanalin e thellë (viaduktin) të autostradës janë plasaritur muret e shtëpive, duke krijuar frikë për banim në to. Për gati një vit minat u pezulluan, por muret vazhdojnë të mbeten të plasaritura dhe asnjë dritë jeshile për kompensimin e familjeve nuk shihet.

Kompanitë që merren me ndërtimin e pjesës së autostradës nga Kukësi në Morin janë mjaft mbrapa me planin e shpallur, në mënyrë të veçantë ajo e urave "Garnit", e cila as që ka rifilluar pas ndërprerjes që ka pasur në janar. Në fshatin Breglum, 7 km nga Kukësi, kjo kompani do të ngrejë një urë mjaft të lartë e të gjatë, e dyta për nga përmasat pas asaj në lumin Luma. Dy banesa fshatare ndodhen në aksin e autostradës, madje një prej tyre në vendin ku vendoset këmba e urës. Supervizorët kanë garantuar se ajo banesë që i takon banorit Bashkim Dida do të shpronësohet, ndërsa për tjetrën nuk janë prononcuar. Mirëpo deri në këtë pikë është llogaritur një urë tek, pra thjesht dykalimshe dhe jo autostradë. Ndërtimi i një paraleli tjetër të urës aty i hyn në pjesë edhe banesës tjetër që i takon Zenun Didës. Ky i fundit, duke parandjerë rrezikun e zhvendosjes me pahir dhe daljen në rrugë të madhe, ka paralajmëruar se do të protestojë deri te Kryeministri dhe më tej deri në Strasburg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›