Bursa studimi në Turqi, kriteret për të fituar
Dhjetëra të rinj nga Shqipëria mund të ndjekin këtë vit studimet pasuniversitare në Turqi. Por jo vetëm kaq, një program i veçantë është edhe për kursin e verës, që do ta përfitojnë studentët e vitit të katërt të Turkologjisë në Tiranë.
Në kuadrin e marrëveshjes dypalëshe, qeveria e Republikës së Turqisë i ka akorduar qeverisë së Shqipërisë 11 bursa për vitin akademik 2008-2009, që janë përkatësisht katër bursa kërkimore 8-mujore. Dy bursa për master ose për doktoraturë dhe pesë bursa për kursin veror të gjuhës dhe të kulturës turke. Për shkollën verore duhet të aplikojnë vetëm studentët e vitit të fundit të Turkologjisë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Këto janë 11 të drejta studimi, në bazë të marrëveshjes së lartpërmendur, por nuk janë të vetmet. Në kuadrin e "Programit të Madh të Nxënësve", pala turke u akordon studentëve shqiptarë edhe tre bursa studimi të nivelit master në degët gjuhë dhe letërsi turke, histori osmane dhe ekonomi. Po kështu edhe një bursë studimi për doktoraturë në ekonomi.
Kandidatët për studime pasuniversitare të paraqesin në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë, në Ministrinë e Arsimit, dokumentet e mëposhtme: kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar fushën e studimit në të cilën aplikanti dëshiron të studiojë; diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar; listën e notave, fotokopjen e noterizuar; dy rekomandime; programin e studimit; raportin mjekësor për aftësi studimesh; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të Hepatitit C; certifikatën e lindjes me fotografi.
Për kursin e verës dokumentacioni i nevojshëm është: kërkesa e të interesuarit drejtuar MASH; dëshmi për njohjen e gjuhës turke; raport mjekësor për aftësi studimesh; raportin mjekësor që vërteton se kandidati nuk ka kaluar ndonjë sëmundje ngjitëse të AIDS ose të Hepatitit C; certifikatën e lindjes me fotografi; tri fotografi. Afati i fundit për pranimin e dokumenteve për kursin e verës do të jetë data 30 mars 2008 dhe për bursat e tjera të studimit pasuniversitar do të jetë data 30 prill 2008.
Për një informacion më të hollësishëm për bursat e studimit pasuniversitar dhe për bursat e kursit veror të gjuhës turke të ofruara nga qeveria turke për vitin akademik 2008-2009, të interesuarit t‘i referohen adresës së mëposhtme të web-sitit http://digm.meb.gov.tr.