Korçë, mbyllen dyert e shkollës për studentët part time
Studentët, të cilët janë interesuar për të vazhduar studimet e larta me kohë të pjesshme në universitetin "Fan Noli" të Korçës për vitin e parë, nuk do të mund të pranohen këtë vit. Përgjigjja që ka ardhur nga ana e rektoratit vjen pasi ka kaluar tashmë një semestër nga nisja e vitit akademik dhe muaj nga studimi në arsimin e lartë, që ka mbyllur edhe provimet për këtë semestër. Universiteti i Korçës nuk do të ketë për këtë vit akademik studime me kohë të pjesshme dhe kjo për shkak të vonesave në miratimin e programit dhe kuotave. Vetëm në muajin shkurt më në fund ky universitet ka marrë udhëzimet, kuotat dhe programin sipas sistemit të ri të Bolonjës për arsimin e lartë. Nisur nga kjo vonesë, studimet nuk mund të fillojnë nga semestri i dytë ndërsa kanë kaluar tashmë muaj nga nisja zyrtare e vitit akademik dhe në një kohë kur studentët e tjerë kanë mbyllur edhe provimet. Lajmi se në Universitetin e Korçës nuk do të ketë për këtë vit studime me kohë të pjesshme, konfirmohet nga ana e rektorit Gjergji Mero, sipas të cilit vendimi është marrë në akord edhe me dekanatet. Mero sqaron se për shkak se janë miratuar programet me vonesë dhe udhëzimet bashkë me kuotat kanë mundur të mbyllen tërësisht vetëm në muajin shkurt, kjo do të thotë se studentët nuk kanë kohë reale për të kapur programet në kushtet kur është mbyllur edhe një semestër dhe ka ikur tashmë gjysma e vitit. Por sipas tij kjo ndodh vetëm për studentët e vitit të parë, të cilët preken nga sistemi i ri dhe Karta e Bolonjës, ndërsa ata të cilët vazhdojnë studimet me kohë të pjesshme në këtë universitet në vitet e tjera do të ndjekin të njëjtin program sipas sistemit të vjetër dhe janë përjashtuar nga ky vendim. "Studimet me kohë të pjesshme do të vazhdojnë për çdo fakultet për studentët ekzistues, por nuk ka pranime të reja për këtë vit akademik. Kjo për faktin se për këtë vit nuk mund të fillohet tani studimi me kohë të pjesshme sipas sistemit të ri, pasi udhëzimet kanë ardhur me vonesë bashkë me kuotat sipas fakulteteve dhe programin e ri. Në një kohë kur ka kaluar një semestër nga viti akademik, studentët realisht nuk kanë kohë që të plotësojnë programin e ri, pasi kanë humbur disa muaj për shkak të këtyre vonesave. Për këtë kemi rënë dakord që studimet me kohë të pjesshme të mos fillojnë këtë vit, por të shtyhen për vitin e ardhshëm akademik, ku do të pranohen sipas kuotave studentët e rinj. Kjo do të nisë nga muaji shtator i këtij viti, pasi do të jenë pjesë e sistemit të ri, ndërsa ata që kanë nisur studimet më parë dhe janë në vite të tjera, jo në vit të parë, do të ndjekin studimet normalisht me kohë të pjesshme sipas programit të vjetër", thotë rektori i universitetit "Fan Noli", Gjergji Mero. Për këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera akademike, një nga kërkesat sipas ligjit të ri për arsimin e lartë ishte edhe përgatitja e programeve në bazë të kushteve të Kartës së Bolonjës. Nga ana e universitetit procedurat për këtë, bashkë me programet, u bënë gati me nisjen e vitit akademik në fund të vitit 2007, por pa marrë miratimin nga ana e ministrisë përkatëse nuk mund të hynte në fuqi zbatimi i programit dhe si rrjedhojë as studimet e larta me kohë të pjesshme në të gjitha fakultetet e këtij universiteti. Sipas të dhënave janë dërguar që në vitin 2007 për sistemin me kohë të pjesshme programet dhe kuotat e planifikuara, por përgjigjja dhe miratimi bashkë me udhëzimet kanë mbërritur me vonesë. Kjo do të thotë se vetëm me nisjen e vitit të ardhshëm akademik studentët e rinj, të cilët janë të interesuar për studime sipas këtij sistemi, do të mund të pranohen sipas kuotave që janë miratuar për çdo fakultet, ndërsa do të njihen edhe me programin për të cilin do të kenë kohën e duhur për përgatitje dhe më tej për të dhënë edhe provimet për lëndët në degët e zgjedhura.