Policia në aksion, terrorizohen qytetarët
Policia e Fierit ka bërë një demonstrim force të paregjistruar më parë. Më shumë se 10 automjete policore të Komisariatit të Policisë Fier, si dhe 2 furgona të mbushur me efektivë të forcave speciale, kanë zbarkuar në hyrjen e qytetit të Fierit, në aksin kombëtar që të çon në Lushnjë. Ndërsa mjete të tjera policore me forca të shumta janë vendosur në postbllok, pikërisht në qendër të qytetit, si dhe daljen tjetër të qytetit me drejtim Vlorën. Zbarkimi në një formë të pazakontë, ku kishte forca të shumta policore me maska dhe armë të tipit kallashnikov në duart e tyre, ka bërë që komuniteti i Fierit të alarmohej dhe "të marrë dhenë", ndërsa ishte në kulmin e lëvizjeve të fundjavës. Të terrorizuar nga kjo lëvizje e policisë kanë qenë edhe drejtuesit e automjeteve, që i janë nënshtruar kontrollit policor për më shumë se 1 orë e 45 minuta. Ndërsa popullata fierake, kryesisht ajo që ishte duke lëvizur në këmbë, ka boshatisur rrugët e qytetit, policia e Fierit, me në krye drejtuesit më të lartë të Drejtorisë së Qarkut, nuk ka lënë pa kontrolluar imtësisht asnjë automjet që qarkullonte në të tre postblloqet e ngritura në vendet e sipërpërmendura.
Banorët e Fierit janë shprehur se me këto lëvizje të papritura dhe tepër imponuese të policisë u është kujtuar koha e 11 viteve më parë, pikërisht viti 1997. "Kisha dalë për xhiro me fëmijët, dhe jam trembur kur kam parë policinë me maska dhe me armë të rënda në duar. Na nxorën nga makina dhe na kontrolluan sikur të ishim kriminelë", ka thënë Lumturi Beja, një banore e Fierit. Gjatë procesit të ndalimit dhe bllokimit të çdo automjeti kanë marrë pjesë dhe krerët e drejtorisë, si nëndrejtori Artan Cuku, i cili mbante në dorë një kallashnikov, si dhe kreu i antiterrorit në drejtori, Zigur Bizha dhe ai i krimeve, Bashkim Xhymeri. Por, edhe efektivët policorë me maska jo vetëm që kanë mbështetur këtë demonstrim force të policisë, por kanë marrë pjesë në procesin e kontrollit fizik të shumë personave, duke i terrorizuar këta të fundit. Në një prononcim për gazetën "Shqip", nëndrejtori i policisë ka pohuar zyrtarisht se "është një kontroll operacional që po zhvillohet për vënien në pranga të personave të shumëkërkuar, si dhe të atyre personave që qarkullojnë me armë pa leje".
"Duke pasur parasysh vetëm dy ngjarjet e ditëve të fundit në rrethin e Fierit, atë të gjetjes së armëve nga policia e Vlorës në bregdetin e Semanit, ku dy fierakë u shpallën në kërkim, si dhe ngjarja tjetër e ndodhur dy net më patë në Zhupan, ku u shkrehën armët, vendosëm të demonstrojmë fuqinë e policisë", ka pohuar për gazetën "Shqip" nëndrejtori Artan Cuku. Ky operacion super i blinduar ka zgjatur afro dy orë, kur pas tij policia ka pranuar se nuk mundi të arrestonte asnjë të ndaluar apo kundravajtës, por rastësisht mundi të përballej me një furgon që transportonte cigare pa faturë tatimore. Gjatë operacionit të koduar "Tabaco 3" janë bllokuar 15000 copë paketash të markës "Slims", sasi e cila ishte e papasqyruar në faturat tatimore të shitjes.
Në njoftimin për shtyp, policia e Fierit bën të ditur se sasia e paketave ndodhej në automjetin e tipit "Mercedez benz", me targa VL4361C, me drejtues Dalip Abazin. Malli i përkiste firmës "Chipita" Vlorë dhe si destinacion kishte qytetin e Durrësit. Pasi u kryen të gjitha verifikimet nga ana e policisë së Fierit, sasia e paketave të bllokuara i është dërguar për kompetencë policisë tatimore, e cila në zbatim të nenit 52 të ligjit nr.8560 datë 22.12.1999 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë" bëri bllokimin e sasisë 15 mijë paketave të padeklaruara me faturë, si dhe automjetin furgon me targa VL4361C. Sipas policisë tatimore të Fierit, malli i bllokuar kap vlerën e 1.6 milionë lekëve, ndërkohë që përbën sasinë më të madhe të paketave të bllokuara kohët e fundit.